Krahas komunikimeve elektronike, orientimi i shërbimeve drejt teknologjisë po revolucionalizon ekonominë dhe zhvillimin. Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca shprehet se, “qeveria ka objektiva dhe mbështet projektet për shtrirjen e teknologjisë edhe në bujqësi”.

Sipas saj, tashmë janë pilotuar projekte të suksesshme për parandalimin e dëmeve në ferma, nëpërmjet sistemeve teknologjike. E pranishme në takimin që u zhvillua këto ditë në Tiranë, për diversifikimin e teknologjive të reja në ekonomi, Krifca tha se “u njoha me disa projekte dhe lajmin shumë të mirë që Shqipëria është përzgjedhur të jetë një ndër tre vendet e Europës që do të shërbejë si qendër/hub për zhvillimin e softwares çka do të sjellë më shumë investime, punësim dhe njohuri në vend”. AZHBR bën të ditur se, vitet e fundit në sektorin e fruta-perimeve janë mbështetur përmes programit IPARD dhe Skemave Kombëtare të Mbështetjes rreth 339 investime të reja në asete fizike në 145 bashki të vendit, ku 142 investime janë në start up-e me 3118 vende të reja pune.