Theo Hernandez është tema kryesore në gjitha mediat në Itali dhe Francë. Në Itali shkruajnë se si Milani për vetëm 20 milionë euro, ia rrëmbeu Real Madridit mbrojtësin që nuk i besonte, por që sot, është një ndër më të mirët dhe se nesër – mund të shndërrohet edhe në më të mirin.Derisa në Francë ende habiten mediet se si nuk është ftuar te Franca, pas shkëlqimit në Serie A me Milanin. Sido që të jetë, Theon e pret një e ardhme e ndritur, gjithnjë sipas Stefano Pioli. “Nëse ai luan si në dy ndeshjet e fundit, ai mund të jetë mbrojtësi më i mirë i majtë në botë. Ai është i shkëlqyeshëm në të dy fazat, duhet të vazhdojë të punojë dhe të mos jetë i kënaqur”, u shpreh Pioli.
Reali e bleu për 25 milionë euro në vitin 2017 nga Atletico, por nuk kishte shumë durim pasi atëherë ishte vetëm 19-vjeçar dhe e huazoi te Real Sociedad. Zidane nuk besoi në aftësitë e 23-vjeçarit, duke blerë Ferland Mendyn për 48 milionë, derisa Theo u shit në Milano në vitin 2019 për 20 milionë. Pas dy sezonesh në Itali, ai numëron 15 gola në 79 paraqitje – 8 prej tyre kanë ardhur këtë edicion, sezoni më i mirë në karrierë për francezin që ende shpreson të fitojë ftesën për në Kombëtaren e Francës.