Përgjatë stinës së pranverës, rikthehen edhe problemet shëndetësore si alergjitë dhe virozat e ndryshme. Gjatë dy javëve të fundit në vendin tonë kanë shpërthyer disa viroza tek fëmijët që kanë shqetësuar mjekët dhe prindërit, kjo jo për vetë sëmundjen, por se simptomat e virozave ngatërrohen me ato të Covid-19. Sipas mjekut pediatër Gëzim Shehu në vend po qarkullojnë 3 viroza me simptoma të ndryshme.
Mjeku shpjegon se deri më tani, i janë paraqitur fëmijë me një virozë që fillon me temperaturë të lartë që gradualisht shoqërohet me kollë dhe frymëmarrje të zhurmshme. Ndërsa, një lloj tjetër viroze sipas mjekut vijon me dhimbje fyti të shoqëruar me infeksion të tonsilave (zona e bajameve). Ndërsa viroza tjetër që sipas mjekut është më e shpeshtë vjen me temperaturë, të vjella dhe diarre që kalon për tre deri katër ditë pa komplikacione.
Mjeku shpjegoi se çdo virozë ndiqet dhe trajtohet në dinamikë e sipas rastit dhe rëndesës merren medikamentet.
Duke dhënë një përcaktim të përgjithshëm, por që medikamentet varen sipas rasteve konkrete mjeku shpjegon se “për temperaturën përgjithësisht jepen qetësues dhe zbutës të kollës, rekomandohen lëngje, vitamina dhe kur gjendja është e komplikuar duhen antibiotikë”.
Pediatrit dhe mjekët specialist që prej fillimit të pandemisë së Covid-19 kanë njoftuar se simptomat e Covid-19 ngatërrohen shpesh me virozat e stinës. Për shembull një ndryshim thelbësor mes virozave dhe Covid-19 është se tek një individ virozat përsëriten në të njëjtën formë çdo vit.
Ekspertët kanë theksuar se virozat janë infeksione në vetvete që imuniteti i trupit i lufton vetë dhe bëhen të rënda vetëm kur ka mbivendosje bakteriale. Ndërkaq, shenja kryesore e Covid-19 dhe e virozave është periudha e shfaqjes së simptomave. Për Covid-19 ato shfaqen nga 2 deri 14 ditë, ndërsa tek virozat shfaqet për disa orë e zgjat deri në 7 ditë.