Nga Zenel Hoxha/

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten jo vetëm aleati strategjik i Shqipërisë, por edhe miku dhe mbështetësi historik i çështjes shqiptare. Vendosmëria e SHBA për të ecur krah për krah me Shqipërinë në Ballkan është e sprovuar tashmë. Më shumë se kurrë është e domosdoshme që të kemi koherencën e nevojshme për ta parë me largpamësi këtë fakt.

Pavarësisht se si shkon më tej situata, tronditja që erdhi sot nga përtej Atlantikut është një këmbanë. Një këmbanë që nuk zhbën historinë e shkuar, por që paralajmëron se koha e së ardhmes ka ardhur. Kjo kohë llogaridhënieje, thyerjeje e paprekshmërisë dhe barazie përpara ligjit duhet të bëhet kredoja jonë e re. Kjo kohë duhet të shërbejë për të tejkaluar të gjithë ata që kanë abuzuar me pushtetin, demokracinë në zhvillim të vendit, pasuritë tona kombëtare dhe, mbi të gjitha, me aspiratat tona kombëtare.

Qofshin ata në të shkuarën, por mbi të gjitha në të tashmen tonë, kur sindroma e grabitjes të së mirës publike është më e theksuar se kurrë. Drejtësia është e verbër dhe prandaj ajo duhet të mbetet jo-diskriminuese ndaj veprave korruptive dhe cënimeve të rënda të besimit të votuesve. Përtej drejtësisë, është momenti për të parë drejt e në sy dhe të ardhmen e politikës në Shqipëri. Është momenti që historia, nëpërmjet nesh, të hedhë në kosh të gjithë këtë kastë politike të kalbur. Në Shqipëri, era e re fryn gjithmonë nga përtej Atlantikut.

*Bashkë themelues i Partisë Demokratike