Nga Alba Mallteza
Falë Zotit nuk jemi më në izolim (të diktaturës them, jo të pandemisë) dhe të gjithë e dimë mirë çdo të thotë të vishesh me Prada, Gucci, Hermes, Moncler, Yves Sanit Lauren, nga koka në këmbë. E dinë mirë dhe italianët dhe francezët, që më shumë se çdo popull tjetër në botë, krijuan dhe pushtuan botën mbarë me firmat prestigjoze.

Të jesh mësuese, gazetare, nëpunëse publike, karabinier, gjykatës, punëtor, nuk e ke të lehtë të blesh apo të vishesh firmato. Një mikeshë italiane (ekonomiste) ëndërronte të blente një çantë Gucci me likuidimin që do të merrte pas shumë e shumë vitesh punë në një klinikë mjeksore private, (likuidimi është shuma e parave që një ndërmarrje, praktikë në Itali, mban nga rroga në të gjithë vitet, për t’i dhënë në fund nëse largohesh nga ajo ndërmarrje, apo del në pension). Një tjetër mikeshë franceze (gazetare) shpresonte se fëmijët do t’i bënin si dhuratë një gjerdan Chanel, të cilin e kishte ëndërruar përherë. Ja bënë, pasi edhe fëmijët (të rritur në të vërtetë) e dinin dëshirën e hershme të mamasë.

Firmat, për njerëzit e thjeshtë edhe në vendet e pasura, janë një luks që mund t’ua lejojnë vetes rrallë, me raste, përvjetore, apo fryt i një kursimi të gjatë. Një rrogë, të ardhura të kufizuara prej cilësdo administratë, edhe ato më të pasurat, bëjnë që mes shpenzimeve, taksave, pushimeve, daljeve nëpër restorante, të mos mbetet shumë për të kursyer, ose aq sa t’i lejosh vetes të vishesh këmbë e kokë “firmato”, siç shohim rëndom në Tiranë, apo, siç shprehet me krenari në videot (kushedi si të dala, por të konfirmuara të vërtetë), të kryetares së gjykatës së Elbasanit.

E keni pyetur ndonjëherë veten se pse ambasadoret e shteteve më të rëndësishme, gazetaret më të njohura e më të pasura në botë, nuk i shohim kurrë të veshura me firmatot aq të lakmuara për Vipat tanë? Edhe këngëtaret e influencerat e njohur, me miliona e miliona ndjekës në rrejtet sociale, shpesh i veshin pasi u bëjnë reklamë, pra paguhen që t’i veshin, e që më pas kapedanet tona t’i shohin, t’i lakmojnë e t’i blejnë.

Dhe kapedanka nuk është e vetmja në fakt. Nëse këto zonja apo të ngjashme me to, shohin në Instagram Rihanën që ka blerë atletet me gurë të Guccit, i duan dhe i blejnë. E nuk është çudi të shohësh në Air Albania Milano-Tiranë, elbasanllije, vlonjate, beratase, fierake, tiranase, me çantat, atletet, veshjet më të fundit Gucci, Prada, Chanel, Louis Vuitton, që ja sheh nëpër Instagram Vipave me famë botërore.

Dikush mund të thotë se janë fake, se nuk janë origjinal. Ndodh. Tirana është e mbushur me dyqane me Gucci e Prada kineze, por rastet e mësipërme nuk futen në këtë që po shkruaj. Nëse do të bëni një shëtitje te Rinascente në Milano, zemra e markave më të njohura botërore, mes shumë vizitorëve dhe pak blerësve, o në një kat, ose në tjetrin, veç ndonjë rusi, japonezeje, do të dëgjoni me siguri një shqiptar a shqiptare që kërkon hesap me zë të lartë. Shumë të informuar për modelet më të fundit, duan të dinë se pse nuk po gjen akoma modelin që po kërkon. Kështuqë, edhe aq kineze, nuk janë superfirmatot që shikojmë.

Pa e ulur fare pastaj syrin te çmimet. Kur janë vështirësisht të përballueshme për rrogat italiane, apo franceze, e imagjinojmë se sa e përballueshme mund të ishte për gjykatësen tonë.

Por të jemi të sinqertë: Nuk është gjykatësja e para dhe as e fundit: Politikane me lidhje e veprimtari të dyshimta vazhdojnë krenohen me veshjet e shtrenjta, çanta, bizhuteri, pushime, vila. Asgjë nuk iu ka ndodhur, ose pak gjë, madje për shumë nga këto “jenniferë lopeza” të Laprakës, Saukut apo të Elbasanit, karriera vazhdon.