Nga Plator Nesturi
Procesi i hapur nga parlamenti shqiptar për shkarkimin e Presidentit Meta duket se po hyn në fazat e fundit të marrjes së vendimeve. Komisioni Hetimor sapo deklaroi se e ka mbyllur mbledhjen e provave dhe se do kalojë në diskutimet për të përcaktuar se si do të paraqitet raporti përpara Kuvendit. Presidenti e refuzoi këtë Komision, ndonëse një vit më parë në një Komision të po të njëjtit format dhe nga i njëjti parlament, u paraqit për të dhënë shpjegimet e tij. Kështu mbetet të operohet më shpejt përderisa presidenti nuk paraqiti as fakte apo elementë të tjera në mbrojtje të tij dhe që mund të hanin kohë për shqyrtim dhe vlerësim mbi to. Ajo çfarë nuk përbën më surprizë është vendimi që do të marrë Komisioni Hetimor. Në të gjitha diskutimet e kryera në seancat e tij duket se deputetët e kanë përcaktuar vendimin e tyre.
Ndonëse gjykimi në rastin në fjalë po bëhet tashmë mbi prova kryesisht mediatike dhe që kanë të bëjnë me deklarata apo pozicionime të Presidentit gjatë zgjedhjeve dhe jo mbi akte ligjore dhe dekrete të presidentit që ishin objekt i komisionit hetimor të vitit të kaluar, duket se opinioni për shkarkimin e presidentit ka një dakortësi më të gjerë, ashtu sic edhe ndërhyrja e tij në fushatën elektorale të ishte më e hapur se kurrë. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse dhe partitë e opozitës nuk e morën aspak në mbrojtje pozicionimin e presidentit apo dhe hapjen e procedurës së shkarkimit ndaj tij. Çështja e afateve që përbënin dhe pengesën më të madhe ligjore të legjislaturës aktuale për të marrë vendim kundër Presidentit, duket e kapërcyer.
Komisioni e mbylli grumbullimin e provave dhe i mbetet vetëm të paraqesë raportin e tij në Kuvend, i cili ka gjithë kohën e nevojshme për të votuar për shkarkimin ose jo të Presidentit. Ky do të ishte precedent i parë në historinë shqiptare të shkarkimit të kreut të shtetit nga parlamenti. Dhe ky fakt duket i kryer, përderisa që tani po shihen raportet e votave në Gjykatën Kushtetuese e cila do të lerë në fuqi vendimin e Parlamentit, apo do ti japë mundësi Metës të përmbyllë mandatin e plotë deri vitin e ardhshëm.