“La Repubblica” ka poseduar videon e provimit të italishtes, dhënë nga Luis Suarez në Universitetin e Perugia. Faktet, që datojnë që nga 17 shtatori i kaluar, u përjetësuan nga një aparat fotografik, që hetuesit kishin fshehur brenda dhomës. Sulmuesi uruguajan, i cili në atë kohë po përpiqej të merrte nënshtetësinë italiane për t’u transferuar te Juventusi, iu nënshtrua një provimi farsë. Sipas magjistratëve, futbollisti i kishte marrë pyetjet e provimit paraprakisht, të cilave iu përgjigj formalisht në provimin e improvizuar nga komisioni.

Ndërkohë, Ivan Zaldua, agjenti i Suarez, në dëshminë e depozituar tregoi një version krejtësisht të kundërt me atë të Andrea Agnelli: “Unë kam pasur shumë biseda me Fabio Paratici. E-mail i parë që shkëmbyem është i 29 gushtit dhe përmban një propozim kontraktual me kushtet ekonomike të angazhimit dhe shpërblimet e propozuara”.

Pas arritjes së një marrëveshjeje, doli programi i pasaportës komunitare: “Suarez kishte dorëzuar të gjithë dokumentacionin për të aplikuar për nënshtetësinë italiane, pasi gruaja dhe fëmijët e tij kanë një pasaportë italiane. Juventusi na informoi për nevojën e dhënies së provimit të italishtes dhe ne pritëm që klubi të na tregonte se kur do të mbahej”.

Për më tepër, agjenti zbuloi bisedën tjetër me Parataci: “Unë kisha thënë që Suarez do ta merrte provimin e iatlishtes, pavarësisht transferimit të tij te Juventusi, në mënyrë që të merrte një pasaportë italiane si anëtarët e tjerë të familjes. Paratici u përgjigj se ishte mirë për të”.

Pastaj një sqarim i rëndësishëm: “Ne ende nuk mund ta zbulonim marrëveshjen me Juventusin, sepse kontrata me Barcelonën nuk ishte zgjidhur. Katalanasit nuk ishin në dijeni të ekzistencës së marrëveshjes së arritur me Juventusin. Kjo sepse marrëveshja me bardhezinjtë do të ishte e mundur vetëm nëse ai nuk do të duhej të paguante asgjë për kartonin”.