Parlamenti Europian dhe Këshilli Europian arritën marrëveshjen për përdorimin e fondeve nga buxheti i BE-së, qëllimi i së cilës është të ndihmohen vendet në procesin e zgjerimit.
Bëhet fjalë për programin IPA 3 nga i cili për këto shtete në shtatë vitet e ardhshme do të jenë në dispozicion 14.2 miliardë euro. Këto fonde do të ndahen për Turqinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, shpjegon REL.
Risia e kësaj marrëveshjeje sipas saj është se përdorimi i parave nga ana e vendeve kandidate dhe kandidatët potencialë do të jetë sakaq i kushtëzuar më shumë me sundimin e ligjit dhe respektimin e vlerave demokratike. BE do të ketë mundësi edhe të pezullojë ndihmën për këto shtete në rast se do të ketë përkeqësim të situatës në sundimin e ligjit dhe hapa prapa në zhvillimin e demokracisë.
Po ashtu do të ketë një mbikëqyrje më të madhe nga ana e Parlamentit Europian në mënyrën se si do të përdoren këto fonde. Me këtë marrëveshje të Parlamentit dhe Këshillit Europian, sipas propozimit të KE-së, sigurohet korniza për përdorimin e mjeteve në kornizën shumëvjeçare nga viti 2021 deri në vitin 2027 për ndihmën e reformave institucionale, ekonomike, sociale, të cilët duhet të ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë që të avancojnë drejt arritjes së standardeve europiane dhe rritjes së sigurisë së përbashkët.