Utopike, kështu konsiderohet nga AS dëshira e Joan Laporta presidenti të Barcelonës që situatën në klub pas rikthimit e ka gjetur mjaft të keqe në aspektin financiar.

Pavarësisht kësaj ai ëndërron të bëjë realitet një nga transferimet më të bujshme, për faktin që në një ekip do të ishin dy nga lojtarët që konsiderohen ndër më të mirët në historinë e futbollit.

Është e kuptueshme që bëhet fjalë për Cristiano Ronaldon, sulmuesin që ka edhe një vit kontratë te Juventusi dhe Laporta është gati të ofrojë për të dy lojtarë.

Bardhezinjtë duhet të zgjedhin mes Griezmann, Coutinho dhe Sergio Roberto. Largimet e tyre do krijonin edhe fondin për të përballuar pagën e yllit portugez.

Messi e Ronaldo në një ekip sigurisht që do të sillte të ardhura të rëndësishme te Barcelona prej marketingut. Ende nuk ka një ofertë konkrete drejt Jorge Mendes, por shpejt mund të ketë zhvillime.