Siç pritej, Donnarumma po kryen ekzaminimet mjekësore për llogari të PSG. Duke qenë se është i angazhuar me kombëtaren italiane në “Euro 2020”, kontrolleve mjekësore po iu nënshtrohet në Romë. Sikurse dihet tashmë, ish-portieri i Milanit do të transferohet falas në “Parce des Princes”, falë një kontrate 5-vjeçare, mjaft të majme financiarisht.

Fillimisht këto kontrolle ishin vendosur në mes të javës së kaluar, por në marrëveshje me klubin dhe federatën, Gigio preferoi të presë deri në fund të raundit kualifikues të Europianit, për të mos u shpërqendruar.

Me 1/8 finale në xhep, optimist se mund të shkojë deri në finalen e “Wembley”, portieri axurr e ka pushim sot me kombëtaren, ndaj mund të kryejë të gjitha procedurat e transferimit te klubi i ri. Me kontratën e nënshkruar me parizienët, Donnarumma do të jetë edhe më i qetë në mbrojtje të katëkëndorit axurr, në sfidat që bëhen më të vështira tashmë.