Kylian Mbappe është rritur duke shijuar magjitë dhe golat e Cristiano Ronaldos. Ylli francez është përballur disa herë me legjendën portugeze, për të cilin ka vetëm admirim, vlerësim që e konfirmon në prononcimin e dhënë për SportBild.

“Kam qenë një fëmijë plot me ëndrra, doja të kisha një karrierë si Cristiano Ronaldo. Kur ai zbret në fushë, ia del t’i bëjë të lumtur të gjithë ata që e shohin duke luajtur. Cris e bën një gjë të tillë prej 15 vitesh.

Unë mendoj se të gjithë tifozët e futbollit e duan Ronaldon. A jam aq i mirë sa ai? Jo, Cristiano ka shkuar historinë e kësaj loje, ndërsa unë ka vetëm pesë vite që luaj në nivele të larta, kështu që ende nuk mund të krahasohem me të.

Për mua është gjithashtu çështje respekti. Ai ka bërë kaq shumë për futbollin dhe nuk është koha për të bërë krahasime. Ka pak lojtarë si Ronaldo, unë kam mësuar shumë gjëra vetëm duke e parë si luan.

A dua të lë shenjën time si ai? Sigurisht, ky është motivi pse luaj futboll. Dua të përhap gëzim te tifozët në të gjithë botën. Dua të bëj një gjë të tillë duke fituar trofe“, deklaron sulmuesi francez, i cili e mbyll fjalën e tij me Euro 2020.

“Dueli më i fortë i grupit do të jetë kundër Gjermanisë, pasi është ndeshja jonë e parë në Euro 2020. Janë një skuadër e mbushur me lojtarë të rinj dhe shumë ambiciozë. Përveç kësaj, atyre u është rikthyer edhe Thomas Muller.

Duhet të japim 100% ndaj çdo kundërshtari, përndryshe nuk mund ta realizojmë objektivin për ta mbyllur grupin në vend të parë. Ndodhen bashkë në një grup ekipi kampion i botës, kampionët në fuqi të Evropës dhe kampionët e botës në vitin 2014.

Pyes veten se si është e mundur të ndodhë një gjë e tillë, por ndoshta më e drejtë që ndodhi kështu“, përfundon Mbappe. Franca është pjesë e grupit F në Euro 2020. Kundërshtarët janë Gjermania, Portugalia dhe Hungaria. Takimi i parë luhet më 15 qershor ndaj “Pancerave”.