Manuel Locatelli, mesfushori 23-vjeçar, i cili luan në Serie A me Sassuolo, shënoi dhe zhvilloi një ndeshje të përkryer mbrëmë, në “Stadio Olimpico” të Romës, ndaj Zvicrës. Ciro Immobile, gjithashtu u fut në listën e golashënuesve, ndërsa italianët fituan sërish 3-0, si në ndeshje hapëse të “Euro 2020”. Ata siguruan kualifikimin për më tej, në Grupin A të Europianit.

Locatelli meritoi trofeun e lojtarit të ndeshjes, pas vërshëllimës finale, dhe gjithashtu doli në konferencë për shtyp pas fitores. Sidoqoftë, edhe ai bëri bujë në rrjetet sociale, duke kopjuar “marifetet” e Cristiano Ronaldos me Coca-Cola. Duket se kjo gjë po kthehet në “trend” mes futbollistëve, teksa ia lënë njëri-tjetrit “stafetën” e largimit të pijes së njohur, sponsor i Europianit, nga zona ku flasin para mediave.

Përpara përplasjes së Grupit F të Portugalisë kundër Hungarisë, në fillim të kësaj jave, Ronaldo u bë “viral”, pasi largoi dy shishe shishe Coca-Cola nga sytë. Sulmuesi luzitan pastaj mori në dorë një shishe me ujë, përpara se të thoshte “pini ujë!” Ky gjest i Ronaldos i ka kushtuar Coca-Cola-s një humbje mahnitëse prej 4 miliardë dollarësh, pasi çmimi i aksioneve të saj ra direkt nga 56.10 dollarë në 55.22 dollarë.

Lojtarëve iu ofrohet ujë, së bashku me Coca-Cola dhe Coca-Cola Zero Sugar, edhe birrë Heineken, pas mbërritjes në konferencat për shtyp. Paul Pogba largoi shishen e birrës, mbas fitores me Gjermaninë, ndërsa Ronaldo dhe Locatelli e knë kapur me Cola-Cola.