Christian Eriksen do të duhet t’i nënshtrohet operacionit për implantimin e një defibrilatori automatik. Federata Daneze e Futbollit e bëri të ditur këtë fakt me një njoftim për shtyp. Morten Boesen, doktor i ekipit kombëtar danez, ishte në kontakt me shefin e kardiologjisë së “Rigshospitalet” dhe Christian Eriksen, teksa po shkohej drejt kësaj rrugëdaljeje mjekësore.

Ky është azhurnimi i situates më të fundit rreth mesfushorit të Interit, që ra pa ndjenja në fushë, gjatë ndeshjes Danimarkë-Finlandë në “Euro 2020” dhe tronditi mbarë botën futbollistike, por jo vetëm.

Në fund të ekzaminimeve të thelluara, u vendos që t’i implantohej një defibrilator. Zgjedhja u bë e nevojshme për shkak të sulmit në zemër të së shtunës së kaluar dhe çrregullimeve të ritmit kardiak.

“Christian pranoi zgjidhjen, e cila u konsultua gjithashtu nga specialistë të tjerë vendas dhe ndërkombëtarë. Ne i nxisim të gjithë të respektojnë privatësinë e Christian dhe familjes së tij”, – thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Pra, në të ardhmen, Eriksen do të jetojë me një defiblator automatik për zemrën, ndërsa në kushte të tilla, në Itali nuk mund të luajë më, sepse nuk lejohet. Sipas të gjitha gjasave, karriera e tij si profesionist ka mbaruar pikërisht këtu, fatkeqësisht.