Euro 2020 nis këtë fundjavë fazën me eliminim direkt të turneut, me përcaktimin e 8 çifteve të kësaj faze dhe rrugëtimin drejt trofeut në finalen e Londrës.
Për ekspertët e statistikave, mes 16 ekipeve në garë janë dy që kanë më shumë shanse për të fituar turneun.
“TheAnalyst.com”, një faqe interneti e ekspertëve të statistikave të cilët bashkëpunojnë me të famshme OPTA për të dhënat e ndeshjeve të futbollit, kanë ndërtuar një tabelë që jep shanset e secilës prej 16 skuadrave për të fituar turneun.
Aty merren për baze renditjet historike, rezultatet e fundit, paraqitjet individuale të lojtarëve si dhe rrugëtimin që kanë skuadrat drejt finales.
Të gjitha të dhënat simulohen në kompjuter në përballje virtuale, me çdo ndeshje që simulohet 40 mijë herë për të përcaktuar më pas shanset që ka çdo ekip për të vazhduar më tej e për të prekur në fund trofeun.
Sipas kësaj faqe, Franca mbetet favorite kryesore për të fituar Europianin, me 19,6% shanse për të triumfuar në finale. Pas saj është Belgjika, me 17,9% shanse për të vazhduar më tej, duke qenë skuadra e vetme që u afrohet “gjelave” në përqindje mundësie për suksesin final.
Në vendin e tretë, me 12,9% është Spanja, duke lënë pas Gjermaninë me 9,3% dhe Holandën e Anglinë me 8,5%. Këta ekipe renditen sipër Italisë të cilës i jepen vetëm 8% mundësi për të fituar turneun, për faktin e thjeshtë se gjendet në anën e keqe të rrugëtimit drejt finales e për të shkuar atje duhet të kalojë skuadra si Belgjika, Portugalia, Franca e Spanja.
Megjithatë, si ngushëllim për ta është fakti se në fazën e parë me eliminim direkt ka përballë ekipin e Austrisë, i cili është ai me koeficientin më të ulët për të fituar turneun, vetëm 0,1%.