Ish-mbrojtësi i Anglisë dhe Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, ka thënë se kishte mbetur i tronditur nga arresti kardiak i Christian Eriksenit në ndeshjen hapëse të Danimarkës kundër Finlandës në Euro 2020 dhe mendon se ylli danez nuk do të jetë në gjendje t’i rikthehet futbollit.

Erikseni pësoi arrest kardiak në fund të pjesës së parë të ndeshjes të shtunën dhe ndaj tij u përformua CPR-ja në fushë nga ekipi mjekësor për ta kthyer në jetë.

Danimarka ka konfirmuar se ylli i Interit është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore në spital dhe se ka biseduar me bashkëlojtarët përmes një video-telefonate.

Por ai vijon të mbetet në spital derisa mjekët ta hetojnë në hollësi shkaktarin e arrestit kardiak të tij. Ferdinandi, i cili është analist i ekipit të BBC-së për Euro 2020, kishte mbetur i tmerruar nga ajo që i ndodhi Eriksenit dhe ndien se mesfushori i Interit duhet të përqendrohet vetëm në jetën dhe familjen dhe jo në futboll.

I pyetur nëse danezi do të mundë të luajë futboll përsëri, Ferdinandi tha: “Nuk mendoj se ai do të luajë përsëri, duhet të jem i sinqertë. “Po të isha unë në vendin e tij nuk do të mendoja për futboll, ndoshta. Thjesht do të dëshiroja te jem shendosh e mirë për hatër të familjes sime”, shtoi ai.