Nga Artur Ajazi/ E ndërsa Parlamenti diskutonte rreth raportit përfundimtar mbi shkarkimin e kreut të shtetit, në Presidencë hidhej “vallja” dhe këndohej kënga. Dukej si festa e fundit e Ilirit para shkarkimit, para largimit jo vetëm nga ajo godinë, por edhe nga politika. Nuk mund të mendohet se, pas shkarkimit nga detyra më e lartë që ai mbajti, të rikthehet në politikë. Ilir Meta ka hesape të vjetra dhe të reja për të “larë” me organet e drejtësisë.
Ai duhet të përgjigjet, dhe do të përgjigjet për gjithë historinë 30 vjeçare të “karrierës” së tij si politikan, biznesmen, kryetar partie, dhe deri bëmat e fundit në para dhe gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 Prillit 2021. Largimi i Ilir Metës, është një ogur i mirë për çdo shqiptar të tmerruar nga fjalimet dhe veprimet antiligjore që ka parë dhe dëgjuar për afro 2 vite rresht. Largimi i Ilir Metës është një lajm i mirë për klasën e kalbur politike që mban peng të ardhmen e vendit dhe shqiptarëve. Largimi i tij, është një lajm i mirë i organeve të reja të drejtësisë, të cilat kanë shansin historik të zbardhin gjithë shkeljet dhe veprimtarinë korruptive të një njeriu që erdhi nga jashtë dhe u bë “pasha” me poste politike dhe pasuri pushteti.
Festa e mbajtur në Presidencë ditën e shkarkimit, kënga dhe vallja dibrane, ishin spaktakli i dështimit, dëshpërimit dhe frikës që Meta po ndjen nga ndëshkimi ligjor.Vendi nuk mund të vazhdonte të përfaqësohej dhe drejtohej nga një militant partiak, nga një ish-pushtetar i akuzuar për afera të frikshme korruptive, pasi ndihma dhe asistenca amerikane në Shqipëri, e fokusuar pikërisht në sistemin e drejtësisë, pikërisht këtë po synon. Shpallja “non-grata” nga Departamenti i Shtetit Amerikan e emrave të njohur të politikës ballkanase dhe veçanarisht asaj shqiptare, po “ngushton” rrethin edhe për emra të tjerë veç Sali Berishës.
Turravrapi i ish-kryeministrit për të mbrojtur dinjitetin e tij me avokat të huaj në Francë, apo stisja që ai bën me ndonjë media të dorës së dytë në SHBA, përdorimi i ndonjë “miku kongresmen” për të kërkuar nga Sekretari Blinke arsyet e shpalljes “non-grata”, duket se kanë trembur seriozisht edhe Ilir Metën për fatin e tij. Shkarkimi në Parlament, dhe festa në Presidencë, janë treguesit më domethënës të një veprimi të duhur ligjor nga mazhoranca, dhe mungesës së seriozitetit nga njeriu në ikje.Sjellja e kreut të shtetit në ikje, ka qenë dhe mbetet e denjë, vetëm për një kryetar komune diku larg në male. Shqipëria vendi aleat i NATO-s, vend aderues në KE, dhe Bashkimin Europian, nuk mund të ketë një kryetar shteti si Ilir Meta. Eshtë fyerje kombëtare të kujtosh dhe ridëgjosh fjalimet dhe veprimet e tij para dhe gjatë fushatës elektorale. Eshtë turp, që na njollos të gjithëve, gjithë aktiviteti i tij si kryetar shteti, aq më tepër sulmet e paprincipta ndaj SHBA dhe vendeve të BE. Shkarkimi i tij është nevojë kombëtare, ndaj dhe ky Parlament po bën realitet një mision historik, që do tu shërbejë brezave që vijnë.