E mërkura ka shënuar fazën e tretë në lehtësimin e masave, sipas një njoftimi në fund të Prillit nga Presidenti Emmanuel Macron. Franca ka rihapur restorantet, baret, muzetë në një kapacitet prej 1,000 deri në 5,000 persona.

Gjithashtu vendi ka rihapur kufijtë për personat që duan të vizitojnë Francën. Franca ka vendosur një sistem semafori të ngjashëm me Mbretërinë e Bashkuar me vende të klasifikuara si jeshile, të kuqe në varësi të situatës së tyre epidemiologjike. Vendet e gjelbra përfshijnë pjesën tjetër të BE-së si dhe Australinë, Izraelin, Japoninë, Libanin, Zelandën e Re, Singaporin dhe Korenë e Jugut.

Udhëtarët ose duhet të jenë vaksinuar plotësisht me një vaksinë të aprovuar nga Agjencia Evropiane e Barnave – Pfizer / BioNTech, AstraZeneca / Universiteti i Oksfordit, Moderna dhe Johnson & Johnson – ose të tregojnë një test negativ PCR jo më shumë se 72 orë para udhëtimit nëse nuk vaksinohen.

Franca është një nga vendet më të prekura në Europë me më shumë se 110,000 viktima që nga fillimi i pandemisë. Shkalla e incidencës shtatë-ditore kombëtare aktualisht është në 68.7 raste për 100,000 banorë.

Mesatarisht 6,100 persona kanë rezultuar pozitive çdo ditë gjatë javës së kaluar. Numri i shtrimeve në spital gjithashtu ka pësuar rënie dramatike gjatë dy muajve të fundit me 394 pacientë me COVID-19 të shtruar të martën.

Më shumë se 28.2 milion persona kanë marrë të paktën një dozë të një vaksine anti-Covid dhe 14.3 milion janë vaksinuar plotësisht.