Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj zhvilloi në Nju Jork një takim me Ministren e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Republikës Federale të Gjermanisë, Christine Lambrecht. Në hyrje të takimit, homologet diskutuan mbi rëndësinë e Sesionit të Posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme për Antikorrupsionin duke theksuar se impenjimi politik i treguar në luftën kundër korrupsionit duhet të vijojë me veprime dhe masa respektive. Ministrja Gjonaj theksoi se si Kordinator Kombëtar kundër Korrupsionit, bashkëpunimi i frytshëm mes vendeve të zgjerohet edhe në këtë fushë.
Si edhe Reforma në Drejtësi, lufta kundër korrupsionit është gjithashtu një nga përparësitë e mëdha të qeverisë shqiptare. Në qendër të këtij takimi ishin po ashtu rezultatet e arritura të reformës në Drejtësi në Shqipëri. Ministrja Lambrecht përgëzoi ecurinë e kësaj reforme unike si dhe rezultatet e Vetingut duke garantuar se Gjermania do të vijojë të qëndrojë krah Shqipërisë në këtë proces të rëndësishëm.
Ministrja Federale Gjermane përkrahu dhe inkurajoi më tej punën e Ministres Gjonaj, si dhe theksoi vijueshmërinë dhe rritjen gjithashtu të mbështetjes së Gjermanisë dhe asistencës teknike në lidhje me reformën në Drejtësi. Në takim u dakordësua për të intensifikuar komunikimin midis stafeve teknikë për të përforcuar bashkëpunimin e mëtejshëm.
Ministrja Gjonaj falenderoi për mbështetjen e vyer të Gjermanisë jo vetëm për reformën në Drejtësi, por edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin, pasi Gjermania padyshim ka qenë një partner kyç. Gjonaj në Nju Jork mbajti fjalën në Sesionin e Posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi “Sfidat dhe Masat për Parandalimin dhe Luftimin e Korrupsionit”. Ministrja Gjonaj në ditën e dytë të vizitës do të zhvillojë takime të tjera me zyrtarë të lartë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.