Sot pas 25 vitesh nga përfshirja e saj në Partinë Demokratike ajo që ish-anëtarja e Partisë Demokratike, Endira Bushati ndjen është zhgënjimi. E ftuar në emisionin “Arnautistan” në MCN TV Bushati tha se gjendja e PD sot është më keq se në 1997-ën, ndërkohë që fakti që kjo parti mund të shkrihet si parti për të nuk është aspak dramatik.
“Në dukje po ndodhin zgjedhje. Jam duke i parë gjërat në distancë. Nuk e di nëse do të votoj. Kjo qe një kërkesë që unë ia kam paraqitur atyre të parties, pasi nuk e di nëse e kam emrin në listë dhe ende s’kam marrë përgjigje, sepse lista është sekrete. Lista bëhet për të mbrojtur të dhënat personale dhe mbahet sipas zotit Gjana nga një IT i partisë dhe vetëm ai hyn në listë.
Në këtë parti s’ka më kauzë. PD është më keq se në 1997-ën. Unë i jam ofruar PD pikërisht në këtë vit dhe kishte një narrativë ku të besoje. Shumë gjëra për të cilat kemi besuar kemi parë që nuk ndodhin. Sot pas 25 vitesh mund të them që është zhgënjim i madh. PD që në 2013-ën ka qenë jashtë kohe. Që me humbjen, nën drejtimin e PD nuk ka gjetur një projekt për ti ofruar shqiptarëve. Fakti që mund të shkrihet si parti nuk është dramatike. Në Itali janë shpërbërë dy parti të mëdha si ajo Demokristiane dhe ajo Socialiste, nën akuza për korrupsion dhe përfshirjeve në korrupsionin e organizuar”, tha Bushati.
E pyetur se për çfarë i duhet të qëndrojë ende në PD Lulzim Basha, Bushati tha se Lulzim Basha ka fitime të mëdha.
“Sot PD i ngjan një shoqërie tregtare ku kryetari nxjerr fitime dhe jo të pakta. Është hamendje edhe për ne që jetojmë me një rreth njerëzish është hamendje por ka një bazë. Sot e kësaj dite Lulzim Basha ka një hetim të mbyllur pa u gjykuar për paratë e lobimit për PD. Nuk ka sot diçka të mbyllur se ku u gjetën 1.3 milionë dollar për të lobuar në SHBA, deklaratat e vetë Bashës kanë qenë kontradiktore. Për sa kohë nuk ka një gjykim këto hamendje gjejnë terren për tu zhvilluar”, shtoi ajo.