Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi thotë se kandidatët për në Shkollën e Magjistraturës i nënshtrohen një procesi hetimi të njëjtë me atë që bëjnë organet e vetingut. Teksa nënvizoi se magjistratët të cilët më pas do të zhvillojnë karrierën në organet e sistemit gjyqësor, do t’i nënshtrohen në mënyrë permanente vetingut.
“Ne bëjmë veting identik me organet e vetingut, në këtë proces, e quajmë vetingun e vogël në krahasim me atë që bëhet me magjistratët në detyrë.
Ne nisim shkresa në 32 adresa, në gjithë zyrat e prokurorive, shërbimet e inteligjencës, Tatime, Dogana, ish punëdhënësit e kandiatëve, pra një kërkim masiv sa i takon sasisë së informacionit që grumbullojmë dhe analizimit të tij, është punë e thelluar”.
Ibrahimi tha teksa raportonte në Komisionin e Ligjeve, se “në 3 raste deri tani KLP ka ndaluar futjen në shkollën e Magjistraturës së kandidatëve të cilët e kanë kaluar testin profesional”.
Sipas tij, “ajo çka dua të theksoj është që ky proces sa vjen e është duke u bërë më ekzigjent sa do arrijmë në atë pikë që ti japim sigurinë shoqërisë shqiptare që pavarësisht mbarimit të vetingut institucionet e drejtësisë do jenë në gjendje të japin një veting permanent edhe për ata që bëjnë karrierë në sistemin e gjyqësisë, se veting ushtrohet për ata që hyjnë e dalin nga Magjistratura e ata që duan të marrin pozicione karriere në sistemin e drejtësisë”.
Ibrahimi tha se ekziston mes anëtarëve të KLP-së një dilemë.
“Ajo është që kërkesa e ligjit për 3 vite punë eksperiencë për kandiatët studentë ndoshta duhet të ndryshojë pak si është formuluar, që këto eksperience pune t’i marrin në gjykatë e prokurori se sa punonjës të sektorëve të ndryshëm të administratës, pasi mund të kenë ekspozime e faktorë korruptivë që mund të mbjellë farën e korrupsionit.
Pra një djalë i ri a vajzë e re që ka pasur eksperiencë në institucione që s’janë të imunizuara nga korrupsioni por ndoshta mund të jenë shumë më të ballafaquara me korrupsionin si Doganat e Tatimet ndoshta është pak vonë që vetingu të japë garancinë totale që tek keta njerëz nuk ekziston fara e denigrimit…”.