Italia kaloi në rrethin e 16 skuadrave më të mira në Euro 2020 me paraqitje mahnitëse dhe si fituese e Grupit A dhe do të përballet me vendin e dytë të Grupit C më 26 qershor në Wembley. Azurët i fituan të gjitha tri ndeshjet në grup, duke i shënuar shtatë gola dhe duke mos e pranuar asnjë gol.
Kjo nënkupton se ata do të zhvillojnë ndeshjen e rrethit të 16 më të mirëve të shtunën në Wembley. Kundërshtari i tyre me gjasë do të jetë njëra mes Austrisë dhe Ukrainës, meqë Holanda është lidere e Grupit C.
Ndërsa Uellsi, që përfundoi i dyti në Grupin A, do të përballet me vendin e dytë të Grupit B, që pritet të jetë Rusia apo Finlanda, meqë Belgjika është lidere. Kjo ndeshje do të zhvillohet në të njëjtën ditë në Amsterdam.