Lionel Messi ishte i lumtur këtë të enjte, me performancën e Argjentinës, pavarësisht barazimit 1-1 ndaj Kilit. Kjo ishte xhiroja e shtatë e kualifiueseve të Amerikës së Jugut për Botërorin e Katarit 2022. Kapiteni i Albiceleste tha pas ndeshjes:
“Kishte kaluar shumë kohë që kur ishim mbledhur herën e fundit në kombëtare. Nuk është e lehtë të kthehesh, por mendoj se kemi luajtur një ndeshje të mirë. Jam i kënaqur me rezultatin, përtej faktit që nuk mund të fitonim. Pak nga pak duhet të bëhemi më të fortë përsëri. Është për të ardhur keq që njerëzit nuk kanë qenë në gjendje të vijnë në këtë stadium të bukur.
Sot ishte një ndeshje e veçantë, e para pa Diegon mes nesh. Ne e dimë se çfarë përbënte kombëtarja për Maradonën, do ta ndiejmë mungesën e tij tashmë. Përveç kësaj, ishte e veçantë për shkak të situatës së pandemisë në vend dhe në botë. Është një moment shumë i vështirë për të gjithë”.
Barazimi i la Albiceleste të dytët në klasifikimin e kualifikueseve të Amerikës së Jugut për Kupën e Botës “Katar 2022”, me 11 pikë, prapa kryesuesit, Brazil. Të besuarit e Lionel Scaloni duhet të përqendrohen te ndeshja e së martës së ardhshme, kundër Kolumbisë.