Kylian Mbappe ka ngritur pikëpyetje nëse PSG është vendi i duhur për të, duke shtuar spekulimet mbi të ardhmen e tij. Ai është në qendër të merkatos dhe gjasat janë që të ketë zhvillime konkrete pas “Euro 2020”. Sulmuesi tha se ndihet mirë në klubin aktual, por nuk ka mohuar nëse një vendndodhje tjetër mund ta bëjë të jetë edhe më i lumtur.
PSG dështoi ta fitojë Ligue 1 këtë sezon dhe u mposht nga Manchester City në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Mbappe ka qenë i lidhur fort me Real Madridin në të kaluarën, por mbetet subjekt i interesit të lartë nga shumica e klubeve më të mira të Europës, nëse ai shtyn për një transferim.
“Nuk kam nevojë të nxitohem. Unë duhet të marr vendimin e duhur, i cili është i vështirë. Do t’i jap vetes çdo mundësi për të vendosur qetësisht dhe me mendjen time, – tha Mbappe për “France Football”, kur u pyet për të ardhmen e tij të shpejtë. – Unë jam në një vend, që më pëlqen, ku ndihem mirë. Por, a është ky vendi më i mirë për mua? Nuk e kam ende përgjigjen. E di që një projekt me ose pa mua nuk është krejt i njëjtë për klubin. Sidoqoftë, PSG i kupton ndjenjat e mia. Të jesh një lojtar i shkëlqyeshëm, gjithashtu duhet ta dëshmon veten jashtë fushës, ku duhet t’i bësh gjërat pastër dhe me klas”.