Bujar Qamili ishte një nga personazhet që u prek nga Covid-19 dhe madje e kaloi sëmundjen në formën më të keqe. Këngëtari i njohur i muzikës qytetare kaloi në gjendje kome për disa ditë dhe eksperienca e tij ka qenë një nga më të vështirat.

Në një intervistë të dhënë së fundmi për emisionin “Rudina”, Qamili ka treguar se gjatë kohës që ishte në intubim u bë aq agresiv, sa mjekët janë detyruar t’i lidhin duart pasi dilte jashtë kontrollit. Këngëtari është shprehur se tashmë fatmirësisht është në gjendje të mirë shëndetësore, por atë që kaloi vetë nuk do t’ja uronte as armikut më të keq.

Rudina Magjistari: Edhe njëherë pak për Covid-in, të shikoj që je mirë, ka kaluar gjithçka, e ke hedhur pas shpine, më trego edhe njëherë sepse është hera e parë që takohemi ballë për ballë pas asaj historie.

Bujar Qamili: Po ta tregoj, po s’kam qejf ta kujtoj më, por ka qenë një moment jashtëzakonisht i vështirë, një moment që është një shprehje shqiptare “armikut mos ia pafsha”. Kaq i rrezikshëm është e kaq keq kam kaluar, të paktën një muaj e gjysmë isha në gjendje shumë të rëndë dhe kam qëndruar për disa ditë me radhë në reanimacion, në gjendje kome derisa jam përmendur, por shansi i madh i imi ka qenë që mjekët italianë më kanë qëndruar pranë dhe më sollën edhe njëherë në jetë.

Rudina Magjistari: Edhe kjo është si një jetë e dytë apo jo? E vlerëson si të tillë, si një shans të dytë?

Bujar Qamili: Duket sikur i kemi dëgjuar shpesh ato shprehjet që thonë “ke me vdekë, po do të ringjallesh, do të vish edhe njëherë” e mua më duket, sinqerisht ma beso, më duket sikur kam ardhur.