Juve, Man.United apo PSG? C.Ronaldo duhet të zgjedh, ku të vijojë karrierën e tij, është koha për të marrë një vendim pasi e ardhmja e tij pritet të ketë një efekt domino për të tre këto klube. Sipas të përditshmes spanjolle AS, agjenti i portugezit ka nisur kontaktet e para me përfaqësues të PSG. CR7 shihet nga presidenti Al-Khelaifi si opsioni i parë nëse Kylian Mbappe largohet drejt Real Madrid. Kjo është një ide e bujshme që mori jo pak vëmendje pas deklaratës së Neymar i cili shprehu dëshirën e tij pak kohë më parë për të luajtur në një skuadër me C.Ronaldo. Në aspektin ekonomik transferimi i Ronaldos në Paris nuk do të ishte një problem, si portugezi ashtu edhe klubi francez kanë një sponsor të përbashkët, Nike.

Gjithnjë sipas AS, sulmuesi ka vendosur kohë më parë për tu larguar nga Juventus, në këtë periudhë ka menduar për të gjithë opsionet. Afrimi i Allegri largon edhe me shumë Ronaldon nga Torino, tekniku preferon të blejë një sulmues tjetër në merkato, paratë që do të përfitonte nga shitja e Ronaldos do të ishin të mjaftueshme për të blerë një sulmues me potencial. Juve kërkon për kartonin e Ronaldos një shumë modeste, 25-30 milion euro, ose janë të gatshëm të negociojnë me PSG për një shkëmbim ndërmjet tij dhe Mauro Icardi, një preference e vjetër e Allegrit.