Nis aplikimi për dokumente biometrikë për shtetasit shqiptarë në ishujt e Greqisë, nga Iraklio i Kretës.
Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi, e cila thekson se përparësi kanë të gjithë aplikantët që kanë nisur kërkesat e tyre sipas kritereve të njoftuara nga Ambasada.
“Projekti i shumë pritur për realizimin e aplikimeve për dokumente biometrikë në ishuj, ka filluar ditën e sotme nga Iraklio i Kretës. Kemi kënaqësinë ta fillojmë zbatimin e këtij projekti me shtetasit më të rinj shqiptarë”, njoftoi sot Ambasada.
Ambasada falënderoi “autoritetet vendore greke për gatishmërinë, mbështetjen dhe krijimin e të gjitha kushteve për realizimin me sukses të këtij misioni”.
Ambasada theksoi se “përparësi kanë të gjithë aplikantët që kanë nisur kërkesat e tyre sipas kritereve të njoftuara nga Ambasada. Për të gjithë shtetasit e tjerë të interesuar do shqyrtohet mundësia e asistimit pasi të ketë përfunduar lista përmbledhëse”.