Kreu i SPAK, Arben Kraja gjatë raportimit në Parlament u pyet nëse do të ketë një hetim në Shqipëri për personat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë shpallur “non grata”. Sipas Krajës, çdo person do të hetohet dhe do të çohet për ndjekje penale, por nëse ka indicie dhe materiale që provojnë akuza.

“Në lidhje me listën e shpallur nga SHBA, lista është një proces që ndodh në SHBA. Ne jemi në Shqipëri kemi procedura dhe parashikimet tona si fillohet një procedim penal dhe si arrihet para gjykatës. Ajo që unë ju garantoj është se çfarëdo indicie apo material që do vijë në raport me këdo shtetas të Shqipërisë, ne jemi të vendosur që ta cojmë ndjekjen penale deri në fund. Çfarëdo që të vijë”, tha Kraja.

Ndërkohë i pyetur se a do të ketë procedim për ata që quhen “peshq”, të lidhur me politikën Kraja u shpreh: “Ne kemi filluar aktivitetin dhe janë të dhëna konkrete, janë dënuar persona, janë ngritur akuza dhe për herë të parë është aplikuar edhe vepra për pastrim produktesh. Ne bashkëpunojmë më të gjitha strukturat, me policinë dhe me faktorin ndërkombëtar. Kjo e fundit është në disa aspekte. Në aspektin e vendosjes së shkëmbimit të informacioneve. Kjo është procedurale, por realizohet edhe me anë të marrëdhënieve reciproke. Rezultate ka pasur, por varet nga ajo që quan rezultat dikush apo dikush tjetër. Pritshmëritë janë të larta. Por ne jemi të vendosur për të hetuar çdo rast deri në fund pa asnjë tërheqje duke mbledhur provat.”