Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani ka reaguar pas zgjedhjeve të brendshme për kryetar të Partisë Demokratike. Nishani është ndalur fillimisht tek fushata e anëtarëve për zgjedhjen e kryetarit, për të cilën thotë se ishte e papranueshme. Ai gjithashtu sjell në vëmendje protestat e organizuara nga kreu i PD-së Lulzim Basha kundër kryeministri Rama.
Nishani thotë se gjatë takimeve është njohur me qindra anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të PD që prej 1 viti, endeshin në dyert e prokurorive dhe gjykatave vetëm sepse kishin marrë pjesë në protestat, ndërsa shton se ishte kryedemokrati Basha, ishte ai që i thirri në protestë dhe se është po ai i cili tashmë i ka tradhtuar.
Reagimi i plotë: Të nderuar miq, gjatë ditëve të fushatës për zgjedhjen e Kryetarit të PDSH, në takime në qytete të ndryshme përveç të tjerash ndesha me një situatë të papranueshme për shumë anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike.
Qindra prej tyre në të gjithë Shqipërinë endeshin prej 1 (një) viti nëpër dyert e prokurorisë e gjykatave si të pandehur për arsyen e vetme se kishin marrë pjesë në protestat e opozitës kundër regjimit banditesk të Edi Ramës. Por ata tashmë ishin lënë vetëm, në mëshirën e fatit të përballeshin me padrejtësinë e kontrolluar nga Pushteti. E drejta e protestës është e drejta më fondamentale e njerëzve të lirë. Një e drejtë e garantuar dhe mbrojtur nga Kushtetuta në Shqipëri.
Lulëzim Basha i thirri në protestë demokratët dhe ata ju përgjigjën me dinjitet e sakrifica ! Por sot ata demokratë janë të braktisur, ata janë të tradhtuar ! Të papunë për shkak të bindjeve politike janë në pamundësi financiare të pajtojnë avokatë e të ndjekin procedurat e padrejta hetimore e gjyqësore. Ata janë të tradhtuar edhe nga ata që ju kërkuan atyre aksionin qytetar.
Ju bëj thirrje të gjithë avokatëve me integritet të lartë profesional, moral, qytetar e civil ; të marrin përsipër mbrojtjen dhe ndjekjen e procedurave gjyqësore të këtyre qytetarëve , falas pa pagesë ! Ata demonstruan përgjegjësi qytetare duke u ngritur ndaj padrejtësive, varfërisë, keqqeverisjes, korrupsionit, skandaleve të një pushtetit abuzues. Njeriu që i thirri në protestë i ka harruar dhe abandonuar tashmë. Por ata nuk duhen lënë vetëm ! Misioni i tyre ishte qytetar dhe meritojnë vëmendje e kujdes qytetar.