Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, njëkohësisht kreu i delegacionit shqiptar në KiE deklaroi sot se “Këshilli i Europës vlerësoi se Shqipëria ka bërë një ndryshim pozitiv drejt demokracisë në mënyrën se si janë mbajtur zgjedhjet”.

Në një lidhje direkte me një studio televizive, Bushati i cili po ndjek punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, tha se “ata që folën në sallë ishin të mendimit që zgjedhjet janë mbajtur në mënyrë të rregullt”.

Duke ditur se ka pasur dhe ka akoma situata COVID, Bushati tha se u vlerësua se zgjedhjet ishin të strukturuara mirë dhe me pjesëmarrje, si dhe nuk u regjistruan incidente në ditën e zgjedhjeve.

Po ashtu, Bushati theksoi se “në seancë u vlerësua se të gjithë kandidatët patën mundësinë të shprehnin platformën e tyre në fushatën elektorale”.

“Më e rëndësishme për reporterët ishte zbatimi i rregullave COVID. E dyta ishte monitorimi digjital, që kishte vonesa dhe kjo ndodh dhe së treti argumentet e sjella nga opozita për mundësinë e shitblerjes së votës. Partia Demokratike kishte ngritur një strukturë për mbrojtjen e votës, e kjo s’ka të bëjë me PS-në. Gjuha ka qenë e qetë thuhet në raport. Gjuha e vetme e ashpër që përdoret dhe thuhet në raport, i takon Presidentit të Republikës, Ilir Meta që jo vetëm nuk duhet të ishte pjesë e fushatës, por nuk duhet të përdorte gjuhë shpeshherë kërcënuese dhe jo të rregullt”, tha Bushati.

Ai theksoi se të 20 deputetët kanë qenë dakord që këto zgjedhje kanë qenë një shtysë para e ndjeshme e demokracisë. “Ata kanë thënë që Shqipëria ka bërë një ndryshim pozitiv drejt demokracisë në mënyrën se si janë mbajtur zgjedhjet”, tha Bushati.

Ndërkohë, Bushati u ndal te “interpretimi dramatik që i bën opozita raportit të PACE me terma që nuk gjenden në raport”.

“Unë e kam raportin, ju e keni, le ta shikojmë ku shkruhet ajo që pretendon PD. Thuhet që vëzhgues dhe anëtarë të partive politike janë ankuar te vëzhguesit se mund të ketë raste të tilla si këto teoritë konspirative dhe romanet fantastiko-shkencore të opozitës”, tha Bushati.

Ai theksoi se “këto ishin zgjedhjet më të mira të mbajtura në Shqipëri dhe qytetarët vendosën dukshëm”. “PS me PD kanë diferencë shumë të madhe. Ndaj PD duhet t’i referohet raportit dhe asaj që ai thotë. Por deklaratat e opozitës vijnë nga humbja në zgjedhje. Organet ligjore do i ndjekin të gjitha pretendimet e opozitës. Për këtë punë nuk heton qeveria, Këshilli i Europës por heton, SPAK-u, gjykatat, aty ku opozita ka drejtuar këto ankesa. I vetmi rast që thuhet në raport është se është parë që një votues që ka ndihmuar për të votuar një person tjetër, e ky rast ka qenë në Shkodër”, tha ai.