Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias të premten do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë. Por përpara se të niset për në Prishtinë kreu i diplomacisë greke ka folur gjatë për Ballkanin dhe raportet me vendet fqinje. Lidhur me Shqipërinë, ai vuri në dukje se kryeministri Edi Rama është zotuar publikisht, që të dy palët të çojnë në Hagë çështjen për zonat detare. Një përgjigje ai e kishte edhe për raportin e Tiranës me Ankaranë teksa marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë janë të tensionuara, po për shkak të kufirit detar.
Ai u shpreh se është e rëndësishme të mos shikohen marrëdhëniet greko-shqiptare në dritën e marrëdhënieve të Shqipërisë me Turqinë. “Shqipëria ka bërë historikisht zgjedhjen e saj” tha ai duke shtuar se integrimi në familjen Europiane “Patjetër do ta sjellë atë shumë afër Greqisë në të ardhmen“.
Disa javë më parë kryeministri slloven Janez Janša paraqiti një “non-paper” me planet e tij për riorganizimin e Ballkanit, por cfarë mendon Dendias për rishikimin e kufijve? “Gjëja e fundit për të cilën Ballkani ka nevojë është mendimi për ndryshimin e kufijve. Ballkani është një rajon i paqëndrueshëm.
Gjithçka që bëjmë në Ballkan duhet të bëhet me shumë kujdes, në mënyrë që të mos shkaktojmë situata të tjera të pakontrollueshme. Unë nuk besoj në asnjë mënyrë se kjo letër vjen nga një shtet” deklaroi shefi i diplomacisë greke.