PSG nuk heq dorë nga Cristiano Ronaldo, Nasser Al-Khelaïfi është gati për një sulm të ri. Kjo është “bomba” e merkatos, e zbuluar sot nga gazeta spanjolle “AS”, sipas të cilës aventura e portugezit te Juve mund të jetë në fund, pas tri sezonesh. CR7 ka tejkaluar 100 gola për Juventusin (101, në 133 ndeshje), por asnjëherë nuk iu afrua fitimit të Ligës së Kampionëve, që kur ka qenë në Torino. Sipas shtypit spanjoll, ai do të dëshironte të kalonte të paktën edhe dy vite në elitën e futbollit europian, përpara se ta mbyllë karrierën lavdishme me fanellën e Sporting Lisbonës. PSG do të përfaqësonte një destinacion luksoz, që do ta lejonte atë të arrinte qëllime të tjera të rëndësishme, si dhe të provonte një kampionat të ri, ku nuk ka luajtur kurrë.

Sipas “AS”, ndër të tjera, PSG tashmë ka filluar kontakte me përfaqësuesit e portugezit. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” do të zinte vendin e Mbappé në tabelën taktike pariziene. Francezi nuk e ka zgjatur kontratën e tij me klubin dhe kalimi te Real Madridi tani duket i pashmangshëm. Duke pasur parasysh vështirësitë për të arritur Messin, gjithnjë e më afër rinovimit me Barcelonën, Al-Khalaïfi, pra, ëndërron një çift të frikshëm sulmues me Ronaldo dhe Neymar. Braziliani gjithashtu zhbalancoi veten dhe komentoi për mikrofonat e revistës GQ: “Unë dua të luaj me Cristiano Ronaldon. Tashmë kam luajtur me lojtarë të shkëlqyeshëm si Messi dhe Mbappé, por ende nuk kam luajtur së bashku me Cristiano Ronaldon”.

Numri një i klubit parizien, për më tepër, do të ishte gati ta bënte Cristiano Ronaldon simbolin e Kupës së Botës në Katar, vendin e pronarëve të klubit dhe të presidentit, i cili është pjesë e komitetit organizator të turneut, që do të mbahet më 2022. Duhet të merret parasysh edhe ndryshimi i trajnerit të Juves në këtë “ekuacion”, me Massimiliano Allegri që merr përsipër detyrën e Andrea Pirlo. Max preferon Dybala dhe Morata si lojtarët kryesorë të sulmit të tij. Pra, nuk është kundër largimit të Cristiano Ronaldo. Sipas “AS”, Juve do të kërkojë 25-30 milionë euro për transferimin e tij. Mauro Icardi, gjithashtu mund të përfshihet në negociata, një emër që i pëlqen trainerit të ri bardhezi, i cili tashmë ka dhënë dritën jeshile për operacionin. PSG e ka seriozisht sjelljen e Cristiano Ronaldos nën Kullën Eiffel…