Jemi në periudhë merkato dhe gjithçka ndryshon nga momenti në moment. Sergio Ramos është një nga çështjet që duhet të zgjidhë Real Madrid. Kapiteni del lojtari i lirë më 30 qershor dhe shumë është përfolur për një largim të tij.
Klube si Manchester City, Manchester United, PSG dhe Sevilla janë gati t’i plotësojnë dëshirat qendërmbrojtësit andaluzian. Ndërkohë, “Los Blancos” kanë politika të qarta dhe nuk ofrojnë rinovime më të gjatë se një vit për “veteranët”.
Florentino Perez i ka ofruar zgjatjen e bashkëpunimit deri në verën e vitit të ardhshëm. Rroga? 10% më e ulët se aktualja, kjo për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia. 35-vjeçari e ka refuzuar dy herë propozimin e presidentit.
Reali e ka llogaritur të larguar lojtarin, por orët e fundit ka pasur ndryshime. AS shkruan se Sergio Ramos ka ndërruar mendje dhe është gati të pranojë ofertën e rinovimit. Agjenti i kapitenit, i cili është vëllai i tij, do të takohet këto ditë me Perez për të finalizuar rinovimin.