Sergio Ramos është afër largimit nga Real Madrid. Rinovimi nuk po vjen dhe qendërmbrojtësi del lojtar i lirë më 30 qershor. Toni Kroos nuk i kursen elozhet për lojtarin andaluzian, të cilin e cilëson si kapitenin më të mirë që ka pasur në skuadër.
“Sergio Ramos është kapiteni më i mirë që kam pasur në karrierën time. Nuk e di se çfarë po ndodh me të dhe si po shkojnë gjërat në klub. Ai ka edhe 20 ditë kontratë, di të them vetëm që jam zbavitur shumë me të gjatë këtyre viteve.
Shpresoj të ndaj edhe shumë vite të tjera me të“, deklaron mesfushori gjerman, i cili ndalet edhe tek Euro 2020. “Mezi po presim të zbresim në fushë, edhe pse na duhet të punojmë ende me disa detaje. Jemi përmirësuar, por pas ndeshjes me Francën do shihet nëse kam apo jo të drejtë.
Kundërshtar i rëndësishëm, ata janë më të fortë se ne, janë ekipi favorit për fitimin e trofeut. Ama, e mbaj mend mirë që kemi qenë edhe ne favoritë në të kaluarën dhe nuk ia kemi dalë të fitojmë. Objektivi i parë është ‘mbijetesa’ në këtë grup“, thekson Toni Kroos.
Gjermania është pjesë e grupit F, ndryshe “grupi i ferrit”. Portugalia, Franca dhe Hungaria janë kundërshtarët, teksa ndeshja e parë do të luhet më 15 qershor ndaj “Gjelave” të Didier Deschamps.