Pasi UNESCO kërcënoi përsëri se do ta riklasifikonte qytetin historik të Ohrit në Maqedoninë e Veriut si “trashëgimi botërore në rrezik”, autoritetet e vendit këmbëngulën se po ndërmarrin masat e nevojshme për ta ruajtur atë.
Nga Sinisa Jakov Marusic
Kryeministri Zoran Zaev tha se Maqedonia e Veriut po vepron për të ruajtur qytetin e Ohrit dhe rrethinat e tij, një vend trashëgimi botërore nga UNESCO-s, pas një raporti kritik nga organi kulturor i Kombeve të Bashkuara të hënën.
Raporti i UNESCO-s tha se Maqedonia e Veriut ka bërë pak për të rregulluar problemet e vazhdueshme në Ohër dhe rrethinat e tij, duke kërcënuar edhe një herë se do ta riklasifikojë atë si një “vend trashëgimi botërore në rrezik”.
“Ne jemi të vetëdijshëm për kartonin e verdhë nga UNESCO”, tha Zaev për mediat pasi u botua raporti prej 125 faqesh, bazuar në një vizitë nga ekspertët e UNESCO-s në janar 2020.
“Unë e pranoj që UNESCO na ka paralajmëruar për disa vjet, por është bërë shumë që nga vizita e fundit e ekspertëve të UNESCO-s”, këmbënguli ai.
Zaev tha se ishte punuar gjatë gjithë vitit 2020 dhe këtij viti, në koordinim me autoritetet lokale të Ohrit, për të hequr ndërtesat e paligjshme që UNESCO thotë se kërcënojnë trashëgiminë kulturore dhe natyrore të zonës.
“Për fat të keq, nuk mund të bëjmë të njëjtën gjë ende në Strugë, por unë u bëj thirrje autoriteteve atje që t’i futen punës”, tha Zaev.
Ai shtoi se që nga fillimi i vitit 2020, autoritetet gjithashtu kanë filluar riparimin dhe azhurnimin e sistemit të grumbullimit të ujërave të zeza rreth Liqenit të Ohrit, kanë ashpërsuar rregullat për dhënien e lejeve të ndërtimit në zonën e mbrojtur dhe kanë ndaluar planet për ndërtimin e rrugëve rajonale dhe një shtrirje hekurudhore brenda rajonit.
Qyteti historik i Ohrit së bashku me Liqenin e Ohrit dhe malin Galicica aty pranë janë një nga 28 vendet në të gjithë botën që UNESCO i ka kategorizuar si vende trashëgimie botërore në të dy kategoritë e kulturës dhe natyrës.
UNESCO kër c ënoi se do ta riklasifikonte atë për herë të parë në maj 2019, pas një raporti kryesisht të pafavorshëm. Kjo dha alarmin dhe autoritetet lokale premtuan veprim të shpejtë.
Por në një seancë pasuese në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, në korrik 2019, UNESCO e shtyu marrjen e një vendimi, i cili u konsiderua gjerësisht si një lëshim i ndikuar politikisht.
Në vend të kësaj, UNESCO i dha Maqedonisë së Veriut kohë deri në fund të vitit 2020 për të korrigjuar problemet ose në të kundërt do ta shtonin qytetin dhe rrethinat e tij në listën e “Vendeve të Trashëgimisë Botërore në Rrezik”.
Ndërsa Zaev këmbënguli se problemet po adresoheshin, një organizatë që ka ngritur shqetësime rreth zonës për vite me radhë, “Ohri SOS”, tha se raporti i ri i UNESCO-s ka demaskuar mosveprimin e autoriteteve.
“Dy vjet më parë në Baku, autoritetet qendrore dhe lokale u mburrën se kishin shpëtuar statusin e trashëgimisë botërore të Ohrit… Çmimi për këtë ishin edhe dy vite të tjera degradim i Liqenit të Ohrit, Galicicas, vijës bregdetare dhe jetës së egër”, tha “Ohri SOS” në një deklaratë.
Raporti i ri i UNESCO vë në dukje një mori problemesh të vjetra që nuk po adresohen, por edhe disa kërcënime të reja.
Ndër problemet e tjera, raporti përsëri thekson ndërtimet e pakufizuara në qytet dhe rrethinat e tij, reagimin e ngadaltë të autoriteteve lokale dhe qendrore ndaj ndërtesave të paligjshme që janë shtuar ndjeshëm edhe në zona të mbrojtura, dhe shkatërrimin e vazhdueshëm të mjedisit dhe ekosistemit.
Dokumenti ankohet për mungesën e ndërgjegjësimit midis popullatës lokale, por gjithashtu midis autoriteteve lokale, në lidhje me nevojën për të ruajtur trashëgiminë e tyre, duke vënë në dukje degradimin e vazhdueshëm të arkitekturës unike në qytetin e vjetër të Ohrit me panele diellore në çati, grumbullimin e mbeturinave në disa zona dhe instalimi i pajisjeve urbane që nuk shkojnë me pamjen e qytetit të mbrojtur.
Ai kritikon gjithashtu një plan të ri për të rindërtuar bregun e liqenit në pjesën e qytetit dhe në planet për të ndërtuar një mol në Studencista, vend që ndër të tjera është një terren thelbësor për jetën ujore.