Brezi i tretë i Grupit Këshillimor Rinor YAG, një strukturë me bazë vullnetare që sjell pikëpamjen rinore në veprimtaritë e Prezencës së OSBE-së që prej vitit 2018, u takua në ambientet e Bashkisë së Tiranës me kryetarin Erion Veliaj dhe ambasadorin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Vincenzo Del Monaco.
Gjatë takimit, ku u diskutua mbi rolin e rëndësishëm që të rinjtë duhet të luajnë në shoqëri, kryebashkiaku Veliaj dhe ambasadori Del Monaco e nxitën grupin e të rinjve të vijonin në rrugën e aktivizmit, por edhe të bëhen pjesë e veprimtarive të Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022. Kryetari i Bashkisë Veliaj, tha se Tirana do jetë qyteti i parë në Europë që do mirëpresë Kryeqytetin Europian të Rinisë në periudhën post Covid.
“Do të doja t’ju inkurajoja që të mendoni për vitin tjetër si një mundësi fenomenale, pasi Tirana do jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022. Ne luftuam shumë për ta merituar këtë mundësi dhe ishte shumë kompetitive, me qytete që janë më të pasura, me qytete që janë aktualisht pjesë e Bashkimit Europian, me qytete që kanë lidhje më të mira dhe që kanë influencë lobimi më të mëdha se tonat, por ne fituam. Jemi qyteti i parë në Europë që do mirëpresim Kryeqytetin Europian të Rinisë në periudhën post Covid, ndaj le të planifikojmë tani,” u shpreh Veliaj.
Ndërsa ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Vincenzo Del Monaco, u shpreh se ka mjaft projekte konkrete të cilat pritet të ndërmerren deri në fund të vitit të ardhshëm.
“Ne kemi në mendje një numër projektesh konkrete që përbëjnë pjesën më të madhe të dritares së jashtëzakonshme që Tirana do të na ofrojë në vitin 2022. Me ndihmën tuaj, dua që ju të jeni në bord kur Tirana të jetë Kryeqytetit Europian i Rinisë 2022. Një numër iniciativash konkrete do të ndërmerren deri në fund të vitit 2022,” tha Del Monaco. Në fund kryebashkiaku Veliaj së bashku me ambasadorin Vincenzo Del Monaco shpërndanë edhe disa çmime për brezin e ri të YAG-ut!