Nga Ymer Minxhozi/Tregim i vërtetë nga koha që jetojmë
Ky është një nga tregimet më tronditës për kohën që jetojmë. Natyrisht ky është një krijim sa artistik aq dhe real. Lehtësisht në këtë tregim mund të vihen emra konkretë dhe… nuk do të kishte kuptim të ndaleshim në një histori të veçantë të kohës që jetojmë.
– Po bie dera! – tha plaka.
– Është era. E përplas era, – i përgjigjet plaku, me përtesë.
– Po ti shiko një herë. Unë e dëgjova. Dikush trokiti!
Plaku ngrihet me ngadalë nga stoli ku është ulur në ballkon, del në korridor dhe mban veshin. Askush. Ai kthehet përsëri, ulet në stolin me jastëk dhe hap gazetën.
– S’ka kush të vijë, të kanë bërë veshët, – flet nëpër dhëmbë.
– Thashë se ishte ajo e elektrikut. Sa grua e mirë! Dje ndejti një orë me mua, pimë edhe kafe.
– Po ajo nuk të vjen përditë, moj plakë. Ata të elektrikut vijnë një herë në muaj, jo sa herë do ti. Pastaj, ata vijnë para dite, jo në mbrëmje.
– E zeza ajo! Po luante menç. I është zhdukur mbesa, vajza e vajzës, që prej dy javësh. Në klasën e tetë. Po vinte nga shkolla dhe i kanë dalë përpara dy djem me veturë e janë zhdukur pa nam e pa nishan. Ku nuk kanë shkuar ta kërkojnë. Dridhej si purtekë. E kam rritur vetë, – më tha, se të ëmën e ka në Kanada. Ku të vete e të mbytem!
Plaku vetëm bën sikur dëgjon. “Gjëra të zakonshme” – pëshpërit nëpër dhëmbë dhe vazhdon të jetë i kredhur në faqet e gazetës, madje edhe fytyra i duket përgjysmë prapa atij çarçafi prej letre.
Plaka indinjohet ngase bashkëshortit të saj nuk i bëri asnjë përshtypje zhdukja e mbesës së nëpunëses së elektrikut, por, si zakonisht, nuk shprehet. Ajo e shpërngul vëmendjen drejt strehës së ballkonit, atje ku kanë bërë fole dallëndyshet, dy çerdhe prej balte, ngjitur me njëra-tjetrën. Është në të perënduar të diellit dhe dallëndyshet duken të shqetësuara, cicërijnë më fort se zakonisht dhe shkojnë e vijnë si shigjeta, nga tre-katër njëherësh.
– Po këto, ç’kanë sonte? – pyet të shoqin.
Plaku përgjigjet pa e lëshuar gazetën nga dora:
– Bëhen gati për udhëtime të largëta. Po afron dimri.
– Po ku shkojnë?
– Larg, shumë larg. Kalojnë male e dete.
– Po nuk mbyten?
– Edhe mbyten. Përplasen në telat e tensionit të lartë kur dalin në sterre. I hanë skifterët. Bien në ujë nga lodhja. Po shumica arrijnë të kthehen në foletë e mëparshme. Disa prej këtyre që shohim sonte këtu, do të kthehen në pranverë e do të lëshojnë përsëri vezët në çerdhet e ballkonit tonë.
– Po ku e kalojnë dimrin?
– Në vendet e ngrohta, atje ku nuk bën dimër, në Egjipt, tutje në Afrikë e ku të munden.
– Po në Amerikë, a shkojnë në Amerikë?
– Shkojnë edhe atje, posi. Edhe në Kanada e Australi shkojnë.
Plaku përgjigjet me indiferencë dhe disi i bezdisur, pa i ngritur sytë nga gazeta. Ai po lexon kronikën e zezë që ka zënë gjysmën e faqes së parë.
Plaka vazhdon në të sajën:
– Po t’iu lidhësh një letër në këmbë, a e çojnë në Amerikë?
– Sigurisht. Drejt e në dritaren e Luanit e të nuses së tij. Pastaj ulen e bisedojnë, iu tregojnë se si ia kalojmë ne këtu në ballkon, nusja i qeras me çokollata dhe pastaj largohen e vijnë të na tregojnë neve për andej.
– Ti tallesh me mua. Unë bëra shaka, po ti gjithnjë i merr me të qeshur ato që them unë. Kur kam qenë mësuese u tregoja nxënësve se dikur pëllumbat i përdornin për të dërguar letra. Unë këto i kisha lexuar në libra.
– Pëllumbat po, por jo dallëndyshet, – saktëson plaku me të qeshur. Pse, ke qenë ndonjëherë mësuese ti?
– Po ti ke qënë ndonjëherë avokat? Ti tallesh, po mua këto dallëndyshet më duken me të vërtetë të mençura. Ato bëjnë gjithë ato rrugë, kalojnë detet, por shtëpinë e tyre nuk e harrojnë. Ti thua se ato përsëri kthehen në foletë e veta. Apo jo?
– Zogjtë janë më të kujdesshëm se njerëzit, Lejla. Ata shkojnë nga shkojnë, po kurrë nuk i harrojnë çerdhet e tyre.
– Si s’na e bëri një telefon?
– Cili?
– Ai i vogli, pra. Ne e uruam për ditëlindjen, ai ka patur ditëlindjen të shtunën që kaloi, ju bëftë nëna!
– Për atë Karlsonin, thua?
– Nuk ia zë dot emrin po për atë e kisha fjalën. Atë të voglin e pashë në ëndërr, ja, ashtu siç është në fotografi. Nuk po kuptoja ku isha, këtu apo atje. Ai erdhi të më përqafojë, po sesi më iku, unë shtriva duart, po ai më iku dhe nuk u çmalla me të. Ky i shkretë gju ma nxori gjumin e s’më la ta vazhdoja ëndrrën.
– Po vizë e biletë aeroplani a kishe?
– Kisha, posi!
– Atëherë pse mërzitesh? Ti e paske parë mbrëmë. Çfarë telefoni pret? Po unë që nuk shoh as ëndrra? Edhe kur më fekset ndonjë turbullirë në gjumë, e harroj sapo zgjohem e s’mbaj mend asgjë. I more ilaçet?
– I mora të shkretat, i mora.
– Të gjitha ngjyrat?
– Nuk i vura re ngjyrat. I mora ashtu siç i ke ndarë ti në qeska. Ngjyrat i harroj. Ai i vogli mbrëmë…
– Përsëri ti? Po ç’ke ti moj që shqetësohesh? Ata do të vijnë ndonjë ditë, do të na përkëdhelin, do të na pyesin për shëndetin, do të na sjellin…
– Po kurë de?
– Ajo “kura” nuk dihet. Zogjtë ne i shohim kur ngrihen e fluturojnë, po kur do të kthehen ne nuk e dimë. Nuk na thonë, se edhe ata vetë nuk e dinë. Të rinjtë nuk e masin kohën se e kanë me bollëk, ndryshe nga ne pleqtë që i kemi ditët të numëruara e s’na pritet. Prindi e vuan ikjen e fëmijës, fëmijët nuk e vuajnë moskthimin.
– Mbrëmë ai i vogli…
Plakës i ngjiret zëri. Nuk e vazhdon dot frazën.
– Po ç’ke moj? Ta kam thënë njëqind herë. Kur të kthehen ai do të jetë rritur e bërë burrë. S’do të jetë më i vogël.
– Po a do të jem unë, se!
– Po edhe në mos qofshim ne, rruga plot me njerëz do të jetë. Ne nuk e kemi marrë me tapi.
– U dogja për atë të voglin, ta shoh si është. Kujt i ngjan. Kam menduar diçka. Unë e di se ti nuk je dakord, po do ta them.
– Hë, de, fol!
– Ti mos më qesh. Po sikur t’i njoftojmë se nëna është shumë e sëmurë, në gradë të fundit? Si thua, a vijnë?
– Nuk besoj. Sa herë sëmuremi ne…
– Po sikur t’iu thuash se nëna vdiq?
– Atëherë po, mund të vijnë.
– E ç’më duhen mua pasi të kem vdekur? Më mirë të vijnë njëherë sa jam gjallë dhe le të mos vijnë fare kur të vdes… Shiko njëherë se po bie dera. Dikush erdhi.
Plaku ngrihet përsëri e del në korridor. Askush!
Një papagall i madh prej allçie, i ulur mbi një komodinë demode në qoshen e korridorit, pranë derës, vështron si gjithnjë me indiferencë. Ai vështrim i ftohtë binte mbi avokatin si mbi një mobilie të vjetër. Edhe herë të tjera ai ndjente një farë shqetësimi nga ato vështrime, por kësaj radhe iu duk se papagalli i lëvizi sytë e tij të mëdhenj ngjyrë gri dhe po tallej me plakun që hapte e mbyllte derën, kot së koti.