Kryetarja e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani është pezulluar nga detyra deri në përfundim të procesit të hetimeve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shqyrtuar kërkesën e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për të pezulluar nga detyra magjistraten Enkelejda Kapedani, gjyqtare në gjykatën e Elbasanit, pas videove të pahijshme të publikuara në “Tik Tok”.

Kërkesa e Inspektoratit u bë se pas verifikimeve ka dyshime se me veprimet e saj ajo ka cenuar figurën e magjistratit me videot e hedhura në rrjetin social.

Gjykatësja Enkelejda Kapedani, kishte realizuar disa video jo etike për detyrën e saj edhe në ambientet e zyrës në gjykatën e Elbasanit.
Gjykatësja ndërkohë është në një tjetër hetim që ka të bëjë me lirimin nga burgu të Viktor Ymerit dënuar me burgim të përjetshëm për dy vrasje.

Ymeri ndërkohë është sërish i arrestuar si i dyshuar për një tjetër ngjarje kriminale. Kërkesa për hetimin e këtij rasti është bërë nga ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj, e cila pas publikimit të videove në Tik Tok kërkoi edhe verifikim të pasurisë së gjyqtares Enkelejda Kapedani të cilës ende nuk i ka ardhur radha për të kaluar në procesin e Vettingut.