Zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, ka testuar vetë mesditën e sotme urën e re të Darzezës. E shembur disa ditë më parë për shkak se aty kaloi një kamion i tonazhit të rëndë, ura është rindërtuar nga Ushtria.
Siç shihet nga pamjet që ndan vetë zv.ministri në Facebook, ai qëndron hipur në kamionin e Ushtrisë që teston urën, “i varur” në derën e kamionit. “Urë e sigurt” shkruan Koçi dhe ndan pamjet e mëposhtme.
Kujtojmë se, ura e Darzezës u shemb pasi aty kaloi një kamion i tonazhit të rëndë, i ngarkuar me një konteiner dhe një ekskavator, duke lënë për 4 ditë të bllokuar banorët e zonës. Kjo urë ishte ngritur vite më parë po nga Ushtria, por shoferi i kamionit nuk kishte respektuar sinjalistikën për peshën që ajo mund të mbante.