Mjekja e spitalit Covid 1, Esmeralda Meta shprehet se “vaksina antikovid është e rekomandueshme, sepse minimizon kalimin në forma të moderuara dhe të rënda dhe shmang maksimalisht hospitalizimin”.

Meta bën të ditur se “aktualisht në spitalin Covid 1 në kryeqytet janë 4 të shtruar, që nuk kanë qenë të vaksinuar”. Sipas saj, rastet paraqiten relativisht mbi mesataren, forma të rënda 50 % e tyre dhe aktualisht rastet janë nën oksigjeno-terapi.

“Dy prej tyre madje janë nën oksigjeno-terapi me fluks të lartë”, – tha Meta gjatë një prononcimi në media. VPacientët, 3 nga Elbasani dhe 1 nga Tirana, janë të moshave 61, 65, 69 dhe 71 vjeç. Mjekët që po i trajtojnë thonë se gjendja e tyre është e rënduar. Katër pacientët që po përballen me COVID-19 rezultonin në listat e personave për t’u vaksinuar që në fillim të muajit prill.