Shpresat e kandidatit konservator gjerman për postin e kancelarit, Armin Laschet për të pasuar Angela Merkel në krye të ekonomisë më të madhe të Evropës pas zgjedhjeve parlamentare të shtatorit, janë forcuar nga një epërsi e re e shfaqur në sondazhe.
Sipas një sondazhi nga kompania ”Forsa”, me qendër në Berlin, demokratët e krishterë (CDU) të Laschet dhe aleatët e tyre të Bashkimit Social-kristian (CSU) kanë arritur në kuotën 30 për qind gjatë tre javëve të fundit nga 28% e një muaji më parë.
”Laschet ka një shans më të mirë për t’u bërë kancelari i ardhshëm gjerman”, theksoi shefi i ”Forsa”-s, Manfred Guellner për kanalin RTL/N-TV.
Por, mbështetja CDU-CSU është akoma më pak se 32,9 për qind e votave kombëtare që konservatorët fituan në zgjedhjet e fundit 2017.
Zgjedhjet në 26 shtator do të shënojnë fillimin e epokës postMerkel.
Laschet, i cili është kryeministri i shtetit më të populluar të Gjermanisë, Nordrhein-Westfalen, ka luftuar deri më tani për një atraksion politik që kur u emërua kreu i fushatës zgjedhore CDU-CSU në muajin prill.
60-vjeçari siguroi pozicionin e kandidatit për kancelar vetëm pas një beteje të ashpër me udhëheqësin e CSU-së dhe kryeministrin bavarez Markus Soeder.
Mbështetja e CDU-CSU qëndroi në 21 për qind në një sondazh të prillit sipas ”Forsa”-s, me të gjelbrit që kishin një epërsi të madhe prej 28 për qind në sondazhe, pas emërimit të kandidatit të tyre për kancelar, Annalena Baerbock.
Por, që nga ajo kohë, mbështetja për të gjelbrit ka rënë pasi Baerbock u vu në shënjestër për një seri gabimesh, çka ka sjellë që të ndryshojnë taktikat e tyre zgjedhore.