Infektimet nga koronavirusi janë në rritje përsëri në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë që më shumë se 99 % e vdekjeve janë mes të pavaksinuarve, ka edhe raste kur persona që kanë marrë dy doza të vaksinës kanë rezultuar pozitivë si në rastin e basketbollistëve në Nju Jork.
Një person i vaksinuar mund të infektohet me COVID-19 konfirmojnë ekspertët. “E para dhe më e rëndësishmja, ju mbron nga sëmundja. Ky është çelësi. Kjo është një sëmundje që u ka marrë jetën më shumë se 600 mijë amerikanëve dhe miliona njerëzve në botë, nëse ju merrni një vaksinë shmangni një shtrim në spital. Kjo është fuqia e vaksinës”, shprehet Leana Wen, mjeke dhe menaxhere e politikave shëndetësore në Universitetin “Xhorxh Uashington”.
Vaksina të mbron kundër Covid, por kjo mbrojtje nuk është 100%. Po ashtu studimet në fillimet e pandemisë kanë treguar se një i vaksinuar ka shanse më të ulëta për të transmetuar COVID-19 tek të tjerët. Gjithsesi këto studimet janë bërë para se varianti Delta të bëhej dominues në Shtetet e Bashkuara dhe jo vetëm.
Ekspertja e shëndetësisë, Leana Wen, thotë se çelësi për të ndalur pandeminë është që ne të arrijmë nivelin më të lartë të imunitetit dhe virusi mos të gjejë rrugë për t’u përhapur. Që kjo të ndodhe duhet që të gjithë të vaksinohemi për të mbrojtur veten dhe ata që na rrethojnë.