Nismat e qeverisë për nxitjen e agroturizmit kanë stimuluar ngritjen e sipërmarrjeve të reja në fshat, si një mundësi e mirë për zhvillimin e ekonomisë rurale. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me donatorët, po punojnë për një studim të mirëfilltë mbi agroturizmit, që paraqet informacione mbi potencialet e zhvillimit të agroturizmit në Shqipëri dhe nevojat e tij financiare për të mbështetur investimet. Më konkretisht, studimi fokusohet në rekomandimin e strategjive të ndryshme publike, stimujve fiskalë dhe financiarë, që mbështesin zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së agroturizmit, që është e ndërlidhur edhe me shumë sektor të tjerë të bujqësisë, turizmit, infrsatrukturës etj.
Ekipi ekspertëve që po punon për këtë qëllim zhvilloi gjatë kësaj jave, turin e dytë të takimeve me fermat agroturistike, kooperativa bujqësore si edhe tur operatorët, në kuadër të studimit të agroturizmit. Lidhja mes fermave dhe tur operatorëve, lidhja mes fermave në zonat rurale dhe produkteve turistike të zonës ishin kryefjala e takimeve të shumta në veri e jug të Shqipërisë.Studimi i përgatitur synon të parashtrojë rekomandime konkrete për politikbërjen në kuader të zhvillimit të sektorit.
Shqipëria është një vend bujqësor me vendndodhje të jashtëzakonshme gjeografike, me peizazhe të mrekullueshme dhe mjaft e pasur në kulinari dhe gastronomi.
Potenciali i pashfrytëzuar për zhvillimin e agroturizmit ekziston pothuajse në të gjithë vendin. Qarqet që premtojnë më shumë në ndërthurjen e bujqësisë me atraksionet turistike janë Korça, Berati, Gjirokastra, Vlora, Shkodra, Kukësi dhe Dibra. Sot modelet më të zakonshme të agroturizmit janë restorantet “nga ferma në tryezë” me kapacitete të kufizuara akomodimi. Ndaj agroturizmi trajtohet si një sektor me prioritet të lartë në programin e qeverisë dhe shumica e strategjive në nivel qendror dhe vendor e konsiderojnë këtë sektor të rëndësishëm për bujqësinë dhe diversifikimin rural.