Anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian është thellësisht i kushtëzuar nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi.

“Raundi i fundit i dialogut mund të ketë qenë më i vështiri nga të vështirët. Të dyja palët duhet t’i përkushtohen atij. Dialogu është një element kyç për stabilitetin rajonal dhe pranimin e Serbisë në BE. Ka interes të madh që dialogu të ketë sukses dhe BE-ja po bën të pamundurën për këtë”, tha Fabrizi për Radio-Televizionin e Serbisë.

Rundi i fundit i bisedimeve midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u zhvillua më 19 korrik në Bruksel. Bisedime të cilat përfunduan me akuza të dyanshme për mungesë të vullnetit që procesi të ecë përpara.

Fabrizi tha se kushtet që Brukseli ia ka vënë Serbisë për anëtarësim në BE, janë konstante dhe nuk ndryshojnë.

Duke theksuar se dialogu me Prishtinën, sundimi i ligjit, reformat ekonomike, prokurimi publik, subvencionet, ndihma shtetërore janë aspektet në të cilën qeveria serbe duhet të përqendrohet.

Serbia ka mbajtur Konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në në fund të muajit qershor së bashku me Malin e Zi.