Këtë verë, teksa po zbutet disi pandemia, dhe Evropa po rihapet sërish për biznes dhe kënaqësi, do të marrë fund epoka Merkel. Pas mbretërimit të saj 16-vjeçar si kancelare e Gjermanisë, Angela Merkel meriton admirim dhe lavdërime për shumë çështje. Kur ajo bëri historinë në vjeshtën e vitit 2005 si gruaja e parë kancelare në Gjermani, papunësia në vend ishte mbi 11 për qind, dhe Gjermania cilësohej si “e sëmura e Evropës”. Katër mandate qeveritare më vonë, papunësia gjermane është në nivelin 6 për qind (dhe do të ishte edhe më e ulët po të mos qe shfaqur pandemia), dhe askush nuk dyshon në lidershipin e saj politik, financiar dhe ekonomik të Bashkimit Evropian. Në një epokë të zymtë, të karakterizuar rrënuar nga udhëheqës autoritarë, kaotikë dhe të lëkundur si Donald Trump, Boris Johnson, Narendra Modi dhe Jair Bolsonaro, Merkel shpërfaqi modelin e udhëheqjes racionale dhe të palëkundur. Në fakt, në vitet e para të presidencës Trump, analistët politikë në të dyja anët e Atlantikut e cilësonin atë si “udhëheqësen e botës së lirë”. Por Merkel e refuzoi në çdo rast atë titull, edhe pse ka qenë në mënyrë të padiskutueshme udhëheqësja de facto e BE-së. Por çfarë lloj lidershipi ka siguruar ajo për projektin evropian? Shumë analistë flasin në restrospektivë për zgjidhjen e krizës së borxheve. Kur Rusia e Vladimir Putin aneksoi Krimenë dhe ndërhyri ushtarakisht në Ukrainën Lindore, ajo ruajti gjakftohtësinë, dhe drejtoi negociatat që çuan në Marrëveshjen e Minskut.

Po ashtu gjatë krizës së refugjatëve në verën e vitit 2015, ajo humanizmin e saj – me një kosto politike të madhe – duke pranuar më shumë se 1 milion refugjatë kryesisht sirianë. Ajo i ndihmoi vendet anëtare të BE-së të kishin një front të bashkuar gjatë negociatave BE-Britani mbi Brexit. Merkel këmbënguli tek “shenjtëria” dhe pandashmëria e 4 lirive të lëvizjes – mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve- që përcaktojnë tregun e përbashkët të BE-së. Dhe gjatë pranverës së vitit 2020, ishte vendimtare në krijimin e fondit të rimëkëmbjes nga pandemia prej 750 miliardë eurosh, që do të financohet nga bono të përbashkëta të lëshuara nga Komisioni Evropian. Por kjo narrativë lajkatuese ndaj Merkel, tregon vetëm një pjesë të historisë. Pasi ka pasur edhe një anë e errët të udhëheqjes së Evropës nga Merkel, si për taktikat specifike të vendimmarrjes ku ajo është mbështetur, ashtu edhe për parimet e përgjithshme që kanë udhëhequr politikat e saj. Përballë krizave politike të Evropës, strategjia kryesore e Merkel ka qenë shtyrja e vendimmarrjes dhe hezitimi. Merkel u bë aq e famshme për këtë qasje, sa që adoleshentët gjermanë e kthyen emrin e saj në një folje – Merkeln – që u bë një simbol i pavendosmërisë kronike duke mos thënë apo bërë asgjë mbi një çështje të caktuar.

Në pothuajse çdo krizë, Merkel hezitoi të merrte vendime të mëdha deri në momentin e fundit të mundshëm. Madje edhe atëherë, binte dakord të bënte vetëm minimumin e nevojshëm. Por problematike nuk ishin vetëm taktikat e saj “Merkeliane”. Shumë më shqetësuese ishte përmbajtja e shumë prej politikave të saj, të cilat ne mund t’i etiketojmë si “merkantilizëm”, i përkufizuar si prioriteti sistematik i interesave tregtare dhe gjeoekonomike gjermane, mbi vlerat demokratike, të drejtat e njeriut apo solidaritetin brenda-BE. Nga mbajtja e një qasjeje të butë ndaj liderit autoritar hungarez Viktor Orban, gjatë kohës kur ai po ndërtonte autokracinë e parë në BE, deri tek raportet e afërta me rivalët gjeostrategjikë të Evropës, Rusinë dhe Kinën. I tillë ishte edhe rasti i krizës në eurozonë, kur ndihmat e BE-së u strukturuan në një të tillë mënyrë cinike, ku përfituan më shumë bankierë gjermanë në kurriz të punëtorëve grekë dhe portugezë. Edhe në momentin e udhëheqjes së saj më të guximshme morale, krizës së emigrantëve të viteve 2015-2016, ajo dështoi të bindë udhëheqësit e tjerë të BE-së që të hartonin një politikë të përbashkët humane, duke përdorur në vend të saj një marrëveshje jo të këndshme me Turqinë “para në këmbim të mbajtjes së refugjatëve”. Edhe fondi i rimëkëmbjes nga Covid-19, u pa prej saj më shumë si një gjest i njëhershëm solidariteti në përgjigje të rrethanave të jashtëzakonshme, sesa si një ndryshim thelbësor drejt një integrimi më të ngushtë fiskal të BE-së.

Kjo qasje synon që të përjetësojë atë që dikush mund ta quajë si privilegjin e tepërt të Gjermanisë në eurozonë, ku ajo vazhdon të përfitojë nga normat shumë të ulëta të interesit për shkak të statusit të saj si një strehe e sigurt e tregjeve financiare, dhe nga një euro e nënvlerësuar që e forcon sektorin e saj të fuqishëm të eksportit.
Në të njëjtën kohë, ajo i mban në një disavantazh të vazhdueshëm ekonomitë e periferisë së BE-së. Në fundin e viteve 1990 dhe fillimin e viteve 2000, para se Merkel të zgjidhej kancelare, BE kishte marrë përsipër ta portretizonte veten si një fuqi “me norma”. Udhëheqësit e BE-së, promovuan me padurim idenë se ndërsa unionit i mungonin atributet e një superfuqie tradicionale ushtarake, ai mund të projektonte udhëheqjen globale duke promovuar norma të tilla si demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe solidariteti social. 16 vitet e udhëheqjes së Merkel, kanë qenë një tallje me aspirata të tilla të larta. Ajo e ka shtyrë BE-në që të qetësonte autokratët, sesa të mbronte demokracinë dhe të drejtat e njeriut, duke imponuar masa shtrënguese dhe reforma të dhimbshme mbi solidaritetin dhe promovimin e investimeve publike.

E ashtuquajtura udhëheqëse e botës së lirë, ka fshehur një sekret të ndyrë gjatë dekadës së kaluar:Ajo ka qenë mbrojtësja më e rëndësishme politik e autoritarizmit të së djathtë ekstreme në Evropës:Victor Orban në Hungari. Merkel e mbrojti Orban për arsye politike dhe tregtare. Aleatët e Orban, siguruan votat e nevojshme në Parlamentin Evropian, për zgjedhjen e të preferuarës së Merkel, Ursula von der Leyen si presidente e Komisionit Evropian, dhe e ndihmuan që Partinë Popullore Evropiane të mbetej forca dominuese në politikën e BE-së.

Në këmbim, ajo e mbrojti Orban nga masat ndëshkuese të BE-së.

Por aleanca e Merkel me Orban nuk kishte të bënte vetëm me politikën e CDU, po kishte një natyrë tipike merkantiliste. Hungaria është një qendër e madhe prodhuese dhe me krah pune të lirë për korporatat gjermane. Në fakt, prodhuesit gjermanë të makinave, janë motori kryesor i rritjes ekonomike në Hungari. E njëjta qasje ka vazhduar me Rusinë me mbështetjen e projektit të gazsjellësit “Nord Stream 2”, që do të rrisë rrezikun e një pushtimi rus të Ukrainës, kërcënojë sigurinë e furnizimit me energji të vendeve anëtare të BE-së si Polonia, dhe do të minojë përpjekjet e BE-së për të ulur varësinë energjitike nga Rusia. Një qasje të ngjashme ka ndjekur edhe ndaj Kinës së Xi Jinping. Qeveria e saj përdori presidencën e radhës të Këshillit të BE në fund të vitit të kaluar, për të nënshkruar me nxitim një marrëveshje investimi BE-Kinë, të cilën kritikët e panë si një dhuratë të madhe për Pekinin. Pasardhësi i saj i CDU, Armin Laschet, nuk ka karizëm dhe ide të freskëta, por mbetet pranë qasjes së saj merkantiliste. Nëse dikush kërkon një ndryshim të vërtetë në udhëheqje, si në Gjermani ashtu dhe në Evropë, duhet të shpresojë që të Gjelbrit – tani të udhëhequr nga 40-vjeçarja Annalena Baerbock – të vijnë në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të vjeshtës.

Marrë me shkurtime nga Foreign Policy