Edicioni i 47-të i “Copa America” po përgatitet ta ulë siparin me një finale ëndrrash. Argjentina kundër Brazilit, Messi kundër Neymar, në mjedisin e shkëlqyeshëm të “Maracana”. Sonte, në orën 2 të mëngjesit (sipas orës europiane), Albiceleste dhe Seleção do të përballen në aktin e fundit të kompeticionit, një ndeshje për titullin dhe epërsinë. Një sfidë shumë e rëndësishme nga pikëpamja personale për Lionel Messi, i cili pasi humbi tri finale të “Copa America” (2007 me Brazilin, 2015 dhe 2016 me Kilin) ​​dhe një nga Kupat e Botës (2014 me Gjermaninë, pikërisht në Brazil, në “Maracaná”), këtë herë nuk dëshiron të dështojë. Për yllin argjentinas kjo është ndoshta një nga mundësitë e fundit për të fituar një trofe me kombëtaren e tij. Përpjekje për ta ndaluar Messin ta ngrejë trofeun në qiell do të bëjë shoku i tij, Neymar. Të dy fituan së bashku me Barcelonën, para se braziliani të vendoste të provonte një përvojë të re nën Kullën Eiffel, me PSG. Të dy kanë mbetur miq të shkëlqyeshëm, por këtë natë do ta shohin veten kundër njëri-tjetrit, siç ndodhi më 2011 në Botërorin e Klubeve, kur Messi fitoi 4-0 (me Barcelonën) ndaj Santosit të Neymar.

Në nivel kombëtar, Messi dhe Neymar janë takuar katër herë: bilanci është pothuajse i barabartë, me dy fitore për secilin; 3 gola për argjentinasin kundër 1 për brazilianin. Mundësia për të dy është shumë joshëse: ata mund të fitojnë “Copa America”, një arritje që Pele, Maradona, Zico dhe Garrincha nuk e patën kurrë në tempullin e futbollit, “Maracana”. Në ndeshjen midis Argjentinës dhe Brazilit ka shumë Itali, midis atyre që luajnë në Serie A; si Romero, Molina, De Paul, Lautaro Martinez, Musso, Martinez Quarta, Alex Sandro dhe Danilo, të tjerë që kaluan nga kampionati Italian si Marquinhos , Thiago Silva, Paredes, Paqueta dhe Alisson.

Lionel Scaloni, ish-mbrojtës i Lazios dhe tani trajner i Argjentinës, synon të konfirmojë tridentin sulmues të formuar nga Lionel Messi, Lautaro Martinez dhe Nico Gonzalez. Në mesfushë konfirmohet Rodrigo De Paul, pranë Rodriguez dhe Lo Celso. Brazili i Tite aplikon modulin 4-2-3-1, me dyshen Casemiro-Fred në mesfushë, për të garantuar një përzierje të cilësisë dhe “mushkërive”. Pjesa ofensive përbëhet nga Paqueta dhe Neymar, pas sulmuesit të vetëm të deklaruar, Richarlison i Evertonit.

Ja formacionet e mundshme:
ARGJENTINA (4-3-3): Martinez; Molina, Romero, Otamendi, Tagliafico; De Paul, Rodriguez, Lo Celso; Messi, Lautaro, Gonzalez.
BRAZILI (4-2-3-1): Ederson; Danilo, Marquinhos, Thiago Silva, Renan Lodi; Casemiro, Fred; Everton, Paqueta, Neymar; Richarlison.