Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, bëri sot me dije se është kontraktuar kompania projektuese për Bypass-in e Elbasanit. Lajmin Balla e dha nëpërmjet një postimi në Facebook, por nuk bën me dije emrin e kompanisë që do të ndërmerret me projektimin e këtij aksi.
Sipas Ballës, është domosdoshmëri ndërtimi sa më shpejt i këtij Bypass-i, ndërsa thekson se qeveria tashmë duhet të fillojë nga procedurat. Ai thekson se ky aks do të lehtësojë trafikun në qytetin e Elbasanit.
Bypass-i i Elbasanit përfshin edhe zgjerimin e rrugës Elbasan-Qukës. “Ndërtimi brenda një kohe sa më të shkurtër i Bypass-i të Elbasanit është i domosdoshëm dhe nevojë imediate për lehtësimin e trafikut në qytetin e Elbasanit dhe për këdo që kalon në këtë pikë kyçe. Të mos harrojmë se sot unaza e Elbasanit deri në Kryqëzimin e Bradasheshit janë pjesë e Korridorit 8, me një trafik kombëtar dhe ndërkombëtar tejet të ngarkuar. Me përfundimin e Bypass-eve të Fierit dhe Vlorës, tashmë Qeveria duhet të fillojë procedurat për ndërtimin e Bypass-it të Elbasanit. Falë planifikimit në kohë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku është kontraktuar kompania projektuese e këtij aksi shumë të rëndësishëm që përfshin edhe zgjerimin e rrugës Elbasan-Qukës”, thotë Balla.
Bypass-i i Elbasanit është një projekt që do të largojë të gjitha mjetet e rënda nga qyteti dhe pritet t’i japë aksit nacional Tiranë – Durrës – Elbasan një koncept të ri të zhvillimit të integruar urban dhe rural.