Përmbytjet katastrofike kanë shkaktuar një situatë shumë të rëndë në zonat e prekura në Gjermani.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka publikuar fotot e disa qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë prej disa vitesh në Gjermani, të cilët kanë shkuar vullnetarisht në një nga zonat e goditura më shumë, Bad Neunar, për të ndihmuar banorët e këtij qyteti në pastrimin nga aluvionet e shumta të reshjeve katastrofike që pushtuan zonën.

Balla në postimin e tij në facekook shkruan se miku i mirë është ai që të gjendet në ditë të vështira.

“Pas dëmeve jashtëzakonisht të mëdha, disa shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Gjermani, kanë shkuar vullnetarisht në një nga zonat e goditura më shumë (Bad Neunar) për të ndihmuar banorët e këtij qyteti në pastrimin nga aluvionet e shumta të reshjeve katastrofike që pushtuan zonën”, shkruan Balla.

Kujtojmë se Taulant Balla është Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Gjermani.