Punimet për ndërtimin e aksit të ri rrugor Palasë-Dhërmi, po ecin me ritme të shpejta. Ky segment ka një gjatësi prej 4.5 kilometrash dhe nis nga kryqëzimi i “Rrugë të Bardha” ku është parashikuar të jetë edhe dalja e Tunelit të Llogarasë dhe përfundon pranë ish-kampit të punëtorëve në Dhërmi.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi ndoqën nga afër ecurinë e punimeve në këtë kantier.

“Puna ka pak që ka nisur për këtë vepër, por deri më tani janë realizuar mbi 60% e hapjes së trasesë. Kemi të bëjmë me një rrugë që është 4.5 kilometra e gjatë dhe deri më tani traseja është hapur në 3 kilometra të saj. Kryesisht janë bërë punime gërmimi, punimet e mbushjes dhe përveç kësaj paralelisht me hapjen e trasesë kemi ecur dhe me veprat e artit”, bëri të ditur Berberi.

Pjesë e projektit është edhe ndërtimi i rrugëve sekondare për aksesimin e zonave turistike të banuara me rrugën e re të projektuar. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se punimet për këtë vepër nuk krijojnë problematika sa i takon qarkullimit të automjeteve, për shkak të distancës që ky aks i ri ka me segmentin aktual.

“Në të ardhmen ky segment do të lidhë daljen e tunelit të Llogarasë me Dhërmiun dhe me të gjithë planet tona afatgjata për të vazhduar më pas nga Dhërmiu dhe deri në Himarë me të njëjtin tip rruge. Trafiku nuk do të kalojë më, pas daljes së tunelit, brenda fshatit Kondraq, Dhërmiut etj, duke i lënë kështu këto fshatra me një trafik të moderuar për banorët apo për vizitorët e zonës atje dhe të gjithë ata që duan të vazhdojnë rrugën nga tuneli i Llogarasë për akoma më në jug të vendit do të kalojnë nga kjo rrugë, e cila është rrugë e drejtë, pa kthesa, do të jetë rrugë e një kategorie të lartë përsa i përket sigurisë rrugore”, u shpreh Balluku.

Zona bregdetare, nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, është shndërruar në një kantier gjigand, ku kanë përfunduar ose janë ende në proces një sërë investimesh, jo vetëm në infrastrukturën rrugore, por edhe në energjetikë apo edhe me ndërtimin e ujësjellësve të rinj, duke ju përgjigjur në këtë mënyrë zhvillimit të zonës dhe potencialeve që ajo ofron.

“Për të qenë më atraktivë për investimet që ne kërkojmë të kemi në jug në vitet e ardhshme, duhet t’i përgjigjemi me infrastrukturën e duhur, kryesisht atë rrugore, pasi është një nga kërkesat kryesore. Patjetër atë ajroren, siç tashëm kemi nisur nga puna për aeroportin e Vlorës dhe shumë shpejt nisim garën për aeroportin e Sarandës!atë energjetike, e cila ka qenë një problem i madh për këtë zonë për shkak të linjave ajrore, por që sot janë zëvendësuar me 20 kilovoltshin e ri. Punime po bëhen në disa nga ujësjellësat e zonës për të rritur kapacitetet dhe për t’i ofruar jo vetëm shërbim banorëve, por edhe vizitorëve gjatë kohës së sezonit. Të gjitha këto së bashku bëjnë një kantier të madh në jug të vendit që unë shpresoj shumë që t’ia dalim dhe t’i përfundojmë në një afat kohor të premtuar, pa vonesa dhe me cilësinë e duhur, ashtu siç e meritojnë qytetarët shqiptarë, por edhe vizitorët që vijnë me pritshmëri të larta tashmë në vendin tonë”, theksoi ministrja Balluku.

Aksi Palasë-Dhërmi ka një gjatësi prej 4.5 kilometrash ndërsa gjerësia e trupit të rrugës do të jetë 11.5 metra. Në këtë segment është projektuar edhe ndërtimi i një ure me gjatësi 109 metra.