Jeff Bezos, njeriu më i pasur në botë, është ofruar të mbulojë koston e NASA-s në vlerë prej 2 miliardë dollarësh, në mënyrë që agjencia hapësinore amerikane të shqyrtojë nënshkrimin e një kontrate me të për të ndërtuar një automjet për të zbritur në Hënë.

Fluturimet në hapësirë tashmë janë kthyer në një garë miliarderësh. Në prill të këtij viti, NASA firmosi kontratë me miliarderin tjetër Elon Musk dhe kompaninë e tij “SpaceX”, ndërkohë refuzoi ofertën e Bezos dhe kompaninë e tij “Blue Origin”.

Kontrata parashikon ndërtimin e një sistemi uljeje që do të dërgonte astronautët në sipërfaqen hënore më së afërmi më 2024, raporton BBC-ja.
Megjithëse pritej që të dy kompanitë të mund të merrnin pjesë në projekt duke bashkëpunuar, kjo nuk ndodhi dhe NASA u përcaktua për “SpaceX”, në mungesë të fondeve.

Në fakt, NASA për projektin e saj kërkoi nga Kongresi 3 miliardë dollarë, por mori vetëm 850 milionë dollarë për të ndërtuar një automjet për t’u ulur në Hënë. Pas kësaj, Bezos tha se kompania “Blue Origin” është e gatshme të kompensojë këtë, duke ofruar dy miliardë dollarë shtesë në dy vjetet e ardhshëm.