Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania do të qëndrojnë së bashku kundër agresionit rus, tha presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në Uashington.

Biden tha se ka shprehur shqetësimet e tij te Merkel për një tubacion gazi midis Rusisë dhe Gjermanisë, por ata u pajtuan që Moska të mos lejohet ta përdorë energjinë si armë.

Merkel, e cila ka punuar me katër presidentë amerikanë, do të largohet nga detyra në vjeshtë.

“Ne qëndrojmë së bashku dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku për të mbrojtur aleatët tanë të lindjes në NATO kundër agresionit rus”, tha Biden në konferencën e përbashkët për media me Merkelin.

Ai pranoi se nuk pajtohet me Merkelin rreth tubacionit të gazit Rrjedha e Veriut 2, i cili ka vlerën e gati 11 miliardë dollarëve dhe është në prag të përfundimit.

Uashingtoni e ka kundërshtuar vazhdimisht tubacionin, për shkak të shqetësimeve se mund të përbëjë kërcënim për sigurinë energjetike evropiane dhe se mund ta privojë Ukrainën nga tarifat e tranzitit, që mbledh nga tubacionet që kalojnë në territorin e saj.

“Miqtë e mirë mund të mos pajtohen”, tha Biden.

Merkel përsëriti qëndrimin e saj se Rrjedha e Veriut 2 “nuk është projekt për të zëvendësuar ndonjë lloj tranziti përmes Ukrainës”.